Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, Foto: Telegrafi

Rama: Shpallja e ditës së nesërme ditë zie nga Serbia, sinjali më i keq

Shpallja e ditës së nesërme ditë zie nga Qeveria e Serbisë, po vlerësohet si një sinjal i keq për rajonin dhe komunitetin euroatlantik nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në plaftomën X, kryeministri shqiptar ka thënë se një veprim i tillë ‘i fryen zjarrit të një konflikti të armatosur’.

“Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik!”- ka shkruar ai.

Sipas tij, Serbia është dashur të hap një hetim për pjesëmarrësit në grupi terrorist.

“Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”- ka shkruar ai.

Për Ramën, shpallja e zisë, ‘jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike’.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, poashtu ka kërkuar nga Serbia që ta bëjë të qartë nëse dëshiron të rreshtohet me Evropën.

“Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës”- ka shkruar tutje ai.

Ai ka pasur edhe një mesazh për BE-në dhe SHBA-të porsa i përket tensioneve në veri dhe dialogut Kosovë-Serbi.

“Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë!”- ka shkruar ai.

“Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër”- ka theksuar ai.

Rama ka pasur një mesazh edhe për autoritete e Kosovës duke thënë se ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë.

“Nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti”- ka shkruar ai.

“Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian”- ka theksuar ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës..

Qeveria e Serbisë ka shpallur ditën e nesërme ditë zie për të vrarët e grupit terrorist.

Serbi, nesër ditë zie për të vrarët e grupit terrorist