Rama-Serbisë: Do të rikthehet akulli mes nesh nëse policët e Kosovës nuk lirohen këtë javë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nëse nuk lirohen tre policët e Kosovës nga autoritetet serbe, këtë javë atëherë “do të rikthehet akulli” në marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Këtë deklaratë ai e ka publikuar në rrjetin social Twitter, teksa ka shpërndarë kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit, për presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të lirojë tre policët e Kosovës, të cilët u kidnapuan javën e kaluar nga forcat serbe.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”- ka shkruar Rama në Twitter.

Nga ana tjetër, sipas Ramës, nëse de-eskalimi nuk ndodh “e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar!”

“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës!” – ka shkruar ai.

Kryeministri shqiptar ka kërkesë edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me tensionet në veri.

“Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – thuhet në publikimin e tij.

Më 13 qeshor, kryeministri i Shqipërisë ka anuluar pjesëmarrjen e kabinetit të tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte paraparë të mbahej të mërkurën e kaluar në Gjakovë.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar” – kishte thënë Rama mes tjerash. 

Policia e Kosovës më 14 qershor ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues kidnapuar nga autoritetet serbe.

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur, sipas KFOR ishin arrestuar.

Në anën tjetër, Serbia thotë se policët kosovarë u arrestuan brenda territorit të Serbisë.

Një gjykatë në Serbi vendosi masë paraburgimi për policët e Kosovës.

Lirimin pa kushte të policëve të Kosovës e kanë kërkuar edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Departamentit Amerikan i Shtetit, përmes zëdhënësit Matthew Miller, i ka kërkuar Serbisë që menjëherë t’i lirojë pa kushte tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar” – ka thënë Miller.

Ai ka shtuar se SHBA i bën thirrje të dyja vendeve që t’i kthehen dialogut dhe të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian.