Rama: Rajoni nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me deklarimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak pas takimeve të zhvilluara dje në Bruksel në kuadër dialogut Kosovë – Serbi.

Rama ka thënë se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore.

Sipas tij, rajoni nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël nga mos ngritjet e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”- ka shkruar Rama në Twitter.

 

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar dje në Bruksel takime me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka njoftuar se kanë diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut.

“Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtendosjen e situatës në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”- ka thënë ai.

Ndërsa, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.

Ai tha se plani i BE-së që u është dërguar palëve është selektiv dhe u kushton vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë, teksa shtoi se është për t’u habitur që Bashkimi Evropian nuk ka filluar procedurat për largim të masave ndaj Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bratisllavës.

Takim i djeshëm erdhi pas dakordimit të javës së kaluar të cilin e arriti zëvendëskryeministri Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bratisllavë të Sllovakisë për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

Dakordimi nënkupton zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarët e komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.