Foto: Screenshot, Edi Rama Facebook.

Rama për takimin që zhvilloi me Kurtin e Vuçiqin në Shkup: U bë një komunikim pozitiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se dje para takimit të liderëve të rajonit, është zhvilluar një darkë e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që sipas tij, pati një komunikim pozitiv në tryezë.

“Është hera e parë që jam në një darkë me Albinin dhe Vuçiqin dhe nuk më rezulton që ndodhi diçka tjetër përveç se u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu si kundër më rezulton se ky format e këto kërkesa që i ka sot BE-ja nga të gjithë ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim më shumë në aspektin ekonomik, flasin vetë për atë që më ka rënë goja për gjithë këto vite që ne të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se vendet e rajonit kanë harxhuar kohë dhe energji duke u marrë me terminologji.

“Nëse ne do t’i kishim bërë të gjitha gjërat që mund t’i kishim bërë në kundër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e ‘Ballkanit të Hapur’, si mekanizma të hapur do të ishim gati. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji, gjëra që janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët, të gjithë anëtarët e 6 vendeve dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me të madhen që është sa e madhe aq e brendshme”- është shprehur ai gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Shkup për të diskutuar mbi hapat për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian.

Ky takim po mbahet në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

Rama, ka thënë se nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor është mundësi e mirë që nuk duhet humbur.

Në deklarimin e tij hyrës para takimit me liderë të rajonit, Rama ka thënë se gjashtë vendet e Ballkanit duhet të përpiqen të punojnë së bashku duke lënë pas politikën dhe historinë.

“Është e domosdoshme që të vendosim qytetarët të parët, dhe të lëmë pas politikën dhe historinë për të ardhmen, sepse çfarëdo që bëjmë dhe nëse mund ta bëjmë në kohën e duhur, për të përfunduar gjerat në muajt e ardhshëm, do të përcaktojmë mënyrën se si vendet tona do të duken në fund të kësaj dekade”- tha Rama.