Rama në Beograd: Macron e Scholz `kumbarët` e Marrëveshjes së Brukselit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vazhduar turin e tij ballkanik, teksa të premten pasdite është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Pas takimit, Rama e Vuçiq janë paraqitur në një konferencë për media, ku kanë folur për pikëpamjet e tyre rreth këtij takimi por edhe zhvillimeve në Kosovë. Në fund të konferencës ka pasur edhe tension e ndërhyrje në deklaratat e njëri-tjetrit.

I pari i qeverisë shqiptare pas takimit me Vuçiqin theksoi se kanë biseduar gjerësisht për tema siç është Procesi i Berlinit.

“Besoj se mund të bëjmë një plan të ri në mënyrë që Komisioni Evropian të hartojë një plan të ri financiar, në mënyrë që vendet tona të jenë në një treg të vetëm ekonomik” – tha Rama.

Ai ka thënë se detyrë e tyre është që të vendosin paqe të pakthyeshme në rajon.

“E kemi bërë shprehi të shkëmbejmë hapur mendimet, herë biem dakord, herë jo, por duhet të punojmë për të mirën e paqes” – tha Rama, teksa shtoi se “duhen momente specifike si këto, pasi atëherë mund të arrihen rezultate të prekshme”.

Rama ka thënë se ka paraqitur draft-statutin për Asociacionin për të kontribuar në zgjidhjen e problemit, teksa theksoi se atë ua ka dërguar edhe presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, të cilët i quajti “kumbarë të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”.

“Propozimi për draft-statutin për Asociacionin është një kontribut që kam dhënë dhe është shumë pozitiv, por nuk është diçka që duhet ta pranojnë domosdoshmërisht dy palët dhe as nuk është marrë në konsideratë nga asnjëra palë. Më vjen keq që disa nuk duan të kuptojnë se ky ishte një kontribut për Kosovën. Nuk jam konsultuar me Presidentin e Serbisë për këtë. Ajo që është në atë letër iu dorëzua edhe presidentin Macron dhe kancelarit Scholz, por edhe presidentin të Komisionit Evropian, Michel. Është në dorën e tyre ta lexojnë. Mendoj se vonimi i themelimit të Asociacionit është një gabim strategjik. Gjithashtu, mendoj se insistimi për të qëndruar në ndërtesat komunale është gjithashtu një gabim”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar shtoi se e vetmja rrugë përpara është dialogu dhe zbatimi i planit franko-gjerman.

“Me tensionet që janë prezente në veri të Kosovës, ne shmangim shprehjen e opinioneve tona publikisht, që të mos përkeqësojmë situatën dhe ta kthejmë atë në drejtim të gabuar. Do të përsëris se e vetmja rrugë përpara është rruga e dialogut dhe marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman. Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit deri në atë pikë sa të gjendemi në një situatë që lëvizjet e armatosura të fillojnë të bëjnë diçka që nuk duhet të lejojmë të ndodhë, kjo do të na çonte në një situatë të krahasueshme me Donbas”, u shpreh ai.

Ndërkaq, presidenti serb theksoi se pas një dekade heshtjeje në marrëdhëniet Serbi-Shqipëri dhe serbë e shqiptarë, ai dhe Rama kanë filluar ta ndryshojnë trashëgiminë e keqe politike, duke treguar se dy vendet dhe dy popujt munden shumë më shpejt të ecin përpara dhe të bashkëpunojnë.

“Këtë në vitet e fundit e kemi dëshmuar me hapa konkret në vendet tona dhe popujt tonë shumë më shpejtë po ecin përpara dhe po përfitojnë më shumë”, tha Vuçiq. Ai tutje e falënderoi kryeministrin Rama për angazhimin e tij në Procesin e Berlinit dhe theksoi se ky proces është një format i dobishëm për rajonin.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se ‘askush normal nuk mund të presë me padurim konflikte”, teksa edhe një herë kërkoi tërheqjen e njëkohshme të kryetarëve shqiptarë në komunat veriore. “Serbia ka përmbushur gjithçka tjetër. Ne duam paqe, sado e vështirë të jetë”, tha tutje Vuçiq.

I pyetur për draftin e Edi Ramës për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, presidenti i Serbisë theksoi se nuk e ka parë atë draft, por se me Marrëveshjen e Brukselit, Asociacioni duhet të formohet në bazë të asaj që është nënshkruar dhe është pranuar.

Ndërkaq duke iu referuar deklaratës së Ramës se draftin e statutit e ka dërguar në Gjermani dhe Francë dhe se Macron e Scholz ishin “kumbarë të marrëveshjes Kosovë-Serbi”, Vuçiq me tone të ashpra theksoi: “Vetëm ekipi negociator serb duhet të merret dhe të prezantojë draft-statutin, asnjë lider francez dhe gjerman”.

Rama ndërhyri duke thënë se “ata janë kumbarët e planit franko-gjerman, e jo të statutit”.

“Sepse është plani i tyre, Serbia nuk e ka krijuar atë plan, është një kontribut që synon një proces pozitiv, por mendoj se nëse palët janë të interesuara, ata do të mund ta pranojnë”, shtoi Rama.

E Vuçiq iu përgjigj: “Ne nuk i quajmë kumbarë ata që ju imponojnë një mision. Në Serbi kumbarët i zgjidhni vetë. I ftoni në pagëzim apo dasmë. Te ne nuk quhen kumbarë ata që ju imponojnë vendime të caktuara”./Rtklive