Foto: ZKM

Qeveria zëvendëson sekretarin e pezulluar të MTI-së në komisionin për zgjedhjen e bordit të KPMM-së

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka zëvendësuar Burim Rrecin, sekretarin e pezulluar nga puna të Ministrisë dhe Industrisë në komisionin për zgjedhjen e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Rreci është zëvendësuar nga Bekim Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Në këtë mbledhje të Qeverisë propozojmë të ndryshohet dhe plotësohet pika 1.3 e vendimit të Qeverisë për themelimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e katër anëtarëve të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale kështu që në vend të Burim Rrecit, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë caktohet Bekim Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj.

Më 22 korrik 2020, Qeveria e Kosovës kishte themeluar komisionin ad-hoc për zgjedhjen e katër anëtarëve të bordit të KPMM-së.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Veseli Krasniqi  më 9 shtator e ka pezulluar nga puna sekretarin e MTI-së, Burim Rrecin.

Burim Rreci është pezulluar nga puna deri në një vendim të ardhshëm të ministrisë. Ai do të vazhdojë të marr 50% të pagës deri në kohën kur të qartësohet pozicioni i tij.

Në arsyetimin e marrjes së vendimit thuhet se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit.

“Bazuar në Legjislacionin në fuqi, si dhe për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e z.Burim Rrecit, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Kjo masë është masë parandaluese dhe nuk prejudikon rezultatin final të vendimit”, thuhet në vendimin e ministrit Vesel Krasniqi.

Burim Rreci ishte emëruar sekretar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë gjatë qeverisë Haradinaj.

Rreci ishte zgjedhur në postin e sekretarit të Përgjithshëm nga qeveria Haradinaj përkundër faktit që ekspertet Britanik të BDO-së kishin vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet të emërohet sekretarë i përgjithshëm.

Rreci ishte shkarkuar nga pozita e sekretarit në vitin 2018 nga ish ministri Bajram Hasani, mirëpo Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e ministres së MTI-së në atë kohë, Arbreshë Krasniqi. Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave jo-qeveritare.

Burim Rreci ishte përfshirë edhe në një rrahje gjatë vitit të kaluar me nipin e zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Në nëntor të vitit të kaluar brenda hapësirave të MTI-së kishin plasur grushtet në mes Arian Krasniqit dhe Burim Rrecit. Përmes një komisioni disiplinor, nipi i Jakup Krasniqit, Ariani ishte suspenduar.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 20 septembre 2020