
Britanikët e ‘ngelën’ në intervistë, Qeveria Hoti e riemëron sekretar të MTI-së
Burim Rreci është rikthyer në një pozitë të cilin e kishte më herët në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në atë të sekretarit permanent në këtë dikaster.
Ricaktimi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së u bë nga Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi i cili mban nënshkrimin e shefit të ekzekutivit, Avdullah Hoti.
Rreci ishte zgjedhur në postin e sekretarit të Përgjithshëm nga qeveria Haradinaj përkundër faktit që ekspertet Britanik të BDO-së kishin vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet të emërohet sekretarë i përgjithshëm.
Gjatë kohës sa Rreci ishte sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishin punësuar të afërm të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqi, krerët e Nismës Socialdemokrate.
Rreci ishte shkarkuar në vitin 2018 nga Bajram Hasani, një ish-anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate, që atë kohë drejtonte ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ish-ministri kishte ngritë dyshime për keqpërdorime në MTI nga Burim Rreci.
Në vendimin e Hasanit thuhej se Rreci ishte përfshirë duke bërë presione nëpër komisione që emëronin shërbyes civil. Përveç kësaj, vendimi i Hasanit thoshte se sekretari i tanishëm i MTI-së ishte përfshirë drejtpërdrejtë në grante dhe tenderë.
“Burim Rrecaj pezullohet nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tender, si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civil”, thuhej në vendim.
E pas këtij vendimi, Bajram Hasani, me kërkesë të partisë së tij, ishte shkarkuar nga posti i ministrit në MTI.
Por, Burim Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e ministres së MTI-së në atë kohë, Arbreshë Krasniqi. Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave jo-qeveritare.
Ai ishte zgjedhur sërish në postin që mbante edhe pse vlerësimi nga një komision që përbehej edhe nga profesionistë të Ambasadës Britanike e kishte renditur si të katërtin në listë.
“Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhej në reagimin e OJQ-ve, të cilat e kishin quajtur emërimin e Rrecit si politik.
Burim Rreci ishte përfshirë edhe në një rrahje gjatë vitit të kaluar me nipin e zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.
Në nëntor të vitit të kaluar brenda hapësirave të MTI-së kishin plasur grushtet në mes Arian Krasniqit dhe Burim Rrecit. Përmes një komisioni disiplinor, nipi i Jakup Krasniqit, Ariani ishte suspenduar.
Punësimet partiake në MTI
KALLXO.com raportoi se në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kishe punësime partiake.
Krasniqi ishte këshilltar politik i ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë por kishte zënë vend si shërbyes civil në këtë dikaster.
Ky nuk ishte nipi i vetëm i punësuar në MTI i Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarit të Kosovës dhe njërit prej themeluesve të partisë Nisma Socialdemokrate.
Në shtator të vitit 2018 si inspektor i naftës u punësua Taulant Krasniqi. Në këtë kohë, MTI udhëhiqej nga partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate ndërsa Sekretar i Përgjithshëm ishte Burim Rreci.
Sa me MTI-në udhëhiqte Nisma Socialdemokrate u punësua edhe dhëndri i kreut të kësaj partie, Fatmir Limaj.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se emërimet e larta do t’i bëjnë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me ekspertët britanik. Mirëpo, tashmë ai e ka nënshkruar vendimin për të rikthyer në pozitën e sekretarit të përgjithshëm që ekspertët britanikë kanë vlerësuar se nuk i plotëson kushtet të mbajë një pozitë të tillë.
Gjatë kësaj kohe, sekretar i përgjithshëm ishte Burim Rreci, i cili u rizgjodh në këtë pozitë nga Qeveria Hoti.
KALLXO.com raporton në vazhdimësi për punësimet partiake nëpër institucione publike.
https://kallxo.com/gjate/analize/ndarja-e-kulacit-per-punesimet-partiake/