Foto: Qeveria e Kosovës
Qeveria ndan 580 mijë euro për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 580 mijë euro për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës.
Ky është një nga pesë vendimet që Qeveri i ka marrë në mbledhjen e 254-të, më 09.07.2025.
Qeveria në detyrë ka rialokuar 1.2 milion euro për 10 projekte kapitale në 10 komuna: Dragash, Ferizaj, Gjakovë, Han i Elezit, Klinë, Mitrovicë, Podujevë, Shtime, Prizren dhe Mamushë.
Kjo mbështetje për komunat vijon në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal 2025 për nxitjen e zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm social e ekonomik brenda rajoneve.
Përveç këtyre, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Grantin për Përgatitjen e Projektit “Programi – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit, Faza 2”.
Ky grant ka për qëllim të ndihmojë Qeverinë në zhvillimin e një kornize rregullatore kombëtare për digat. Dhe se, sipas Qeverisë, asistenca teknike e projektit siguron që Kosova është e përgatitur në mënyrë strukturore për zbatimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë së digave, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare. Financimi total i grantit: 1 milion dollarë dhe zbatuese e projektit do të jetë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në këtë mbledhje është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të transferuar mjete buxhetore në vlerë prej 712,215 euro për mbulimin e obligimeve sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet MKRS-së dhe Federatës së Volejbollit, Komitetit Olimpik të Kosovës.
Krejt në fund janë ndarë 2 milionë euro për të mbështetur punësimin e qytetarëve të komuniteteve joshumicë në tërë vendin, në kuadër të Masës 1.9 – Mbështetja e punësimit të personave nga komunitetet joshumicë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Ligji për Qeverinë e Kosovës, i miratuar nga Qeveria Kurti 3 në vitin 2022, thotë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit; me rastin e votimit të suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit për Qeverinë në tërësi; me dorëheqjen e Kryeministrit dhe në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë; dhe, me shpërndarjen e Kuvendit.
Kurti i ka dërguar më 15.04.2025, njoftimin për dorëheqje Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të betimit si Deputet. Në këtë letër Kurti ka thënë se me deklaratën e dhënë në KQZ më 27.03.2025, ai bashkë me Kabinetin qeveritar efektivisht janë në dorëheqje.
“Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë sonë, Qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ, më 27 mars 2025, si dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me Kabinetin qeveritar.” – thuhet në letrën të cilën e ka siguruar KALLXO.com.
Ligji për Qeverinë parasheh se nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet Deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve.
Sipas këtij Ligji Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me Nenin 31 të këtij Ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit.
Qeveria në dorëheqje konsiderohet në situatat: pas shpërndarjes së Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit, apo në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë deri në zgjedhjen e Qeverisë, në pajtim me Nenin 95 Paragrafin 5 të Kushtetutës dhe nëse kjo nuk arrihet deri në situatën e përcaktuar me Nënparagrafin 2.1 të këtij Neni; dhe, as votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj, nga ana e Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve në Kosovë është bërë më 27. 03.2025, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kurti njoftoi po me këtë datë në Facebook se mandati i tij katërvjeçar përfundoi më 23 mars dhe pretendoi se sipas Ligjit për Qeverinë nuk ka nevojë për një akt shtesë dhe formal të dorëheqjes nga posti.
Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me Ligjin Vjetor për Buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve në vijim: nuk miraton nismën për lidhjen e Marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat kërkohet ratifikimi nga Kuvendi, nuk miraton projekt-Amendamente kushtetuese, Projektligje, Strategji dhe koncept-Dokumente; nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të Ligjeve përkatëse, si dhe nuk bën propozimin e kandidatëve për pozita për të cilat kërkohet emërimi nga Kuvendi.
Tutje, sipas Ligjit në fjalë, Qeveria në dorëheqje nuk bën propozime dhe nuk inicion emërime të zyrtarëve të lartë për të cilët kërkohet bashkëvendosje me Presidentin e Republikës.
Përjashtimisht Paragrafit 1 Nënparagrafit 1.2 të këtij Neni, Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në rast të fatkeqësive natyrore, shëndetësore apo situatave të tjera emergjente të përcaktuara me Ligje të veçanta, Qeveria në dorëheqje ka të drejtë të bëjë përjashtim nga Paragrafi 1 Nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të këtij Neni, për aq sa kjo justifikohet me nevojën për menaxhimin e situatës së tillë, si dhe kërkohet vendimmarrja e Qeverisë.
Sipas Ligjit Qeveria në dorëheqje zhvillon të gjitha veprimet për lidhjen e Marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ratifikohen nga Presidenti.
Kufizimet e përcaktuara me këtë Nen vlejnë edhe për Qeverinë në situatën siç përcaktohet në Nenin 28 Paragrafi 1 Nënparagrafi 1.1 të këtij Ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.