Qeveria ndan 11 milionë euro për mbulimin e pagesës së energjisë elektrike për familjet e cenueshme

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për ndarjen e 11 milionë eurove për mbulimin e pagesës së energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se me 11 milionë euro parashihet të zbatohet masa e parë e Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike, teksa shtoi se 5 milionë euro të tjera do të transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, e cila do të zbatojë masën 4 të Planit të Veprimit, i cili parasheh mbështetjen e konsumatorëve familjarë.

“Bëhet fjalë për vendimin që sapo e morëm, u bartën 22 milionë euro dhe tani po ndahen në kuadër të masave që janë paraparë. Ne kemi pranu kërkesë nga Ministria e Ekonomisë për ndarjen e 5 milionë eurove, pra në kuadër të masës 4 të programit të dakorduar për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike. Pra, nga 16 milionëshi, 5 milionë shkojnë në Ministrinë e Ekonomisë, ndërkaq 11 milionë të tjera shkojnë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve tek programi për ndihmat sociale, në mënyrë që të bëhet mbulimi  i pagesës për familjet e cenueshme në kuadër të programit të ri që kemi miratuar për të adresuar këtë çështje”- ka deklaruar Murati.

Paraprakisht, kabineti qeveritar miratoi kërkesën për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga viti 2023 në vitin 2024 të fondeve nga nënprogrami “Kontigjenca për Energji”, në shumë prej 22,738,482.51 euro dhe që pastaj, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, mund të ndahen në kuadër të masave të para që janë pjesë e programit të dakorduar ndërmjet Qeverisë dhe Bashkimit Europian.