Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Qeveria miraton themelimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kabineti Qeveritar ka miratuar propozim vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për themelimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se procesi i aplikimit të Kosovës gjendet tek asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës që do jep opinionin e saj nëpërmjet përpilimit të raporteve për  gjendjen e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në vend.

“Më 24 prill të këtij viti komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës e nisi zyrtarisht procesin e pakthyeshëm të Kosovës në Këshill. Ky vendim u mor pas punës intensive të udhëhequr nga MPJD dhe koordinimit me aleatët. Procesi i aplikimit gjendet tek asambleja parlamentare e Këshillit, që do të jep opinionin e saj nëpërmjet përpilimit të raporteve për  gjendjen e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në vend”- ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit njoftoi se kjo periudhë do të shoqërohet me vizita fakt-mbledhëse në Kosovë, nga ekspertë dhe deputetë të Këshillit të Evropës të cilët do të vizitojnë Kosovën.

“Kjo periudhë do të shoqërohet me vizita fakt-mbledhëse në Kosovë, nga ekspertë dhe deputetë të Këshillit të Evropës të cilët do të vizitojnë vendin tonë. Për të pasqyruar sa më saktë, MPJD ka propozuar përpilimin e një grupi koordinues ndërinstitucional i cili me përbërje aktuale është në fazën fillestare. Do të jetë një grup dinamik i cili do të përfshi edhe akterë të tjerë institucional e shoqëria civile”- tha ai.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se meqë është kaluar faza e parë, në të atë të dytën nevojitet një bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional me qëllim që Kosova të jetë e përgatitur për të gjitha kërkesat dhe të gjitha raportet që do vijnë dhe për këtë është propozuar themelimi i një Grupi Koordinues.

“Në fazën e dytë do të na nevojitet një bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional me qëllim që të jemi të përgatitur për të gjitha kërkesat dhe të gjitha raportet që do të na vijnë. Kemi propozuar krijimin e një grupi kooridnues,i cili ka për detyrë të zhvilloj komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshill, duke shkëmbyer informacione që ndërlidhen me procesin e  anëtarësimit dhe duke hartuar raporte për cështje specifike në fazën e përgatitjes së opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit”- ka thënë Gërvalla.

Ministrja tha se tri komitetet, ai për çështje politike dhe demokraci, ligjore dhe të drejtat e njeriut dhe komiteti për jo diskriminim dhe barazi do të përpilojnë raporte mbi situatën juridike, politike, juridike dhe të drejtat e njeriut në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Në kuadër të komitetit për çështje politike dhe demokraci, raportuese për Kosovën është emëruar Teodora Bakojanis, ish ministre e jashtme e Greqisë që vie nga radhët  e grupit IPP. Ajo do të hartoj një raport gjithë përfshirë për komitetin për politikë dhe demokraci i cili më pas do të votohet në seancën plenare të asamblesë”- tha Gërvalla.

“Komiteti për çështje ligjore dhe të drejtat e njeriut zgjodhi Azeda Rojan, anëtare e delegacionit suedez të asamblesë parlamentare ndërkohë që pritet emërimi i raportuesit nga komiteti për jo diskriminim dhe barazi. Këto të dyja do të hartojnë raporte konsultative në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill”- shtoi ajo.

Në prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës sot në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Një hap më afër Këshillit të Evropës, edhe sa hapa deri në fund?