Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria miraton Projektligjin për policinë ushtarake të FSK-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për policinë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kryeministri Albin Kurti tha që ky projektligj do ta ndihmojë policinë e FSK-së t’i ketë autorizimet për ta kryer misionin e saj.

“Policia ushtarake vepron brenda dhe jashtë kazermave të saj, andaj pjesëtarëve të uniformuar, punonjësve civil të ministrisë së mbrojtjes dhe FSK-së, ky projektligj u mundëson që të kenë autorizimet e nevojshme ligjore në mbështetje të misionit të vet”, tha ai.

Kurse, paraprakisht ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tregoi para kabinetit qeveritar arsyet përse duhet të votohet ky projektligj.

“Ky projektligj përcakton misionin, organizimin, autorizimin dhe detyrën e policisë ushtarake në FSK. Është hera e parë qe misioni dhe statusi i policisë së FSK-së rregullohet me ligj të veçantë, duke marrë parasysh faktin që synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit të policisë ushtarake është një hap drejtë këtij synimi”, tha Mehaj.