Qeveria Kurti mund ta 'ketë jetën dyfish më të shkurtë' se negociatat për formimin e saj

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk e ka çuar në fund mandatin e saj. Shumica prej tyre kanë shkuar në zgjedhje pas përplasjeve brenda partnerëve të koalicionit apo dorëheqja e Qeverisë, si rasti i fundit me Qeverinë e Haradinajt.

Vendimi i sotëm i kryeministrit Kurti për ta shkarkuar nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, rrezikon t’i prishë marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit.

Kërcënimet e javëve të fundit që zyrtarë të lartë të LDK-së i kanë dhënë Lëvizjes Vetëvendosje për prishje të koalicionit, për shkak të mos-heqjes së taksës, kulmuan sot kur kryetari i LDK-së Isa Mustafa pati një mesazh të prerë për Albin Kurtin.

Mustafa i ka kërkuar partnerit të tij që ta anuloj vendimin për shkarkimin e Veliut, në të kundërtën kërcëoi se do të prishet koalicionit.

“Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në rast se Kurti nuk e anulon vendimin dhe nuk heq taksën, dhe në anën tjetër Mustafa e mbanë fjalën, atëherë kjo Qeveri mund ta ketë jetën e saj dyfish më të shkurtë se sa negociatat që u bënë për krijimin e qeverisë.

LDK dhe LVV nisën diskutimet për arritjen e një koalicioni që nga 7 tetori i 2019, deri më 2 shkurt 2020 kur edhe u nënshkrua marrëveshja e koalicionit.

Ndërsa, deri në fund javës, kur kanë mbetur edhe 2 ditë, do të bëheshin 47 ditë jetëgjatësi të kësaj qeverie.

Kërcënimet e LDK-së, përmes zyrtarëve të saj për LVV-në për prishje të koalicionit për shkak të refuzimit të kërkesës së ShBA-së për të hequr taksën janë parë shumë kohëve të fundit.

Një nga ta ka qenë edhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, që javën e kaluar tha se më përpara prishej koalicioni se sa raporti me ShBA-të.

Kurti: Trupat amerikane nuk tërhiqen, taksa zëvendësohet me reciprocitet

Konflikti i ri mes partnerëve të koalicionit, ka për bazë propozimin e mbrëmshëm të Presidentit Thaçi për të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të situatën me Coronavirusin.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Qeveri, zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi deklaroi mbrëmë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk është e nevojshme, derisa Agim Veliu kishte dalë kundër qëndrimit të Qeverisë.

Në fakt, i pari që kishte propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kishte qenë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Coronavirusi “shtyn” koordinimin LVV-LDK për tarifën 100 për qind

.