Isa Mustafa kërcënon Albin Kurtin me prishje të koalicionit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka quajtur të papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

Sipas tij, kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit mes LDK-së dhe VV-së.

“Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës”, ka shkruar Mustafa.

“Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shtuar ai në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar sot Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike pas një deklarate të tij mbrëmë për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme në Kosovë.