Albin Kurti shkarkon Agim Veliun

Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Sipas njoftimit, shkarkimi është bërë për shkak se ministri mbrëmë u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri gjithashtu tha se ky ministër ka përhapur panik  duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

“As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti  Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti ka thënë se Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Mbrëmë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi që vendi të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme, vendim ky për të cilin duhet të vendosë Parlamenti.

Ndërkohë qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka parë këtë masë si të panevojshme.

Momentalisht në botë numërohen mbi 190 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!