Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria i reagon Listës Serbe: Zëvendësimi i deputetëve është çështje kushtetuese, jo vendim politik

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Listës Serbe të cilët përmes një reagimi kanë thënë se synimi i Kryeministrit Kurti dhe kryetares së partisë GI SPO, Rada Trajkoviq, ishte votimi i ndryshimeve kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, e drejta e përfaqësimit në institucione, etj.

Qeveria e Kosovës përmes një përgjigje për KALLXO.com, deklaruan se zëvendësimi i deputetëve është çështje që kushtetuese dhe jo politike.

“Se si plotësohen ulëset e deputetëve është çështje kushtetute e ligji dhe jo plani politik. Kjo vetëm sa tregon se si mendojnë përfaqësuesit e Listës Serbe, pra mendësinë e tyre. Dhe, natyrisht, e pranuan që po i keqpërdorin brutalisht ulëset e rezervuara, si armë kundër shtetit të Kosovës e jo si vlerë e gjithpërfshirjes dhe integrimit” – është përgjigja e plotë që ka dhënë Qeveria e Kosovës për KALLXO.com.” – tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Lista Serbe ka reaguar sot pas largimit të 10 deputetëve serbë nga parlamentit menjëherë pas betimit.

Deputetët serbë largohen nga salla e Kuvendit menjëherë pas betimit

Ky subjekt politik ka konsideruar se vendimi i sotëm ka penguar realizimin e planit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe serbëve të përshtatshëm për të që të ndryshojnë kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë.

“Vendimi i sotëm strategjik ka penguar më drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë…” – thuhet në reagimin e Listës Serbe të cilët patën pretendime se synimi i Kryeministrit Kurti dhe lideres së partisë GI SPO, Rada Trajkoviq, ishte votimi i ndryshimeve kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, e drejta e përfaqësimit në institucione, etj.

Në lidhje me deklaratën e bërë nga Lista Serbe ka reaguar edhe politikania serbe Rada Trajkoviq e cila është edhe lidere e partisë GI SPO.

“Sapo jam informuar se Lista Serbe ka marrë 9 mandate të reja në Kuvendin e Kosovës për të penguar hyrjen time në të dhe për të mos lejuar që komuniteti serb në Kosovë të marrë përfundimisht përfaqësues të vërtetë politikë” – është shprehur Trajkoviq përmes llogarisë së saj në Twitter.

Kandidatët e Listës Serbe, tashmë deputetët: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Millan Joksimoviq, Ksenia Bozoviq, Rados Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Jokiq, Biljana Maksiq dhe kandidati nga partia tjetër serbe GI SPO, Cvetko Velkoviq kanë zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.