Lista Serbe reagon pas largimit nga salla Kuvendit menjëherë pas betimit

Nëntë kandidatë nga Lista Serbe dhe një kandidat nga partia GI SPO janë betuar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, 10 deputetët serb kanë lëshuar sallën e parlamentit menjëherë pasi kanë kryer procedurën e betimit në Kuvendin e Kosovës.

Në lidhje me këtë ka pasur reagim nga Lista Serbe të cilët kanë konsideruar se vendimi i sotëm ka penguar realizimin e planit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe serbëve të përshtatshëm për të që të ndryshojnë kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë.

“Sot në Kuvendin e Prishtinës nëntë deputetë të Listës Serbe kanë verifikuar teknikisht mandatet, duke i mbajtur në duar të sigurta dhe janë larguar menjëherë nga seanca e Kuvendit. Vendimi i sotëm strategjik ka penguar më drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë…” – thuhet në reagimin e Listës Serbe .

Sipas këtij subjekti politik, synimi i kryeministrit Kurti dhe lideres së partisë GI SPO, Rada Trajkoviq, ishte votimi i ndryshimeve kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe.

“Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, e drejta e përfaqësimit në institucione, etj.” – ka vijuar Lista Serbe në reagimin e saj.

Tutje ky subjekt politk është shprehur se vendimi i sotëm nuk do ta ndalë procesin e largimit të zyratrëve serb nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës………….., i cili po mbyll të gjitha institucionet e Kosovës në atë territor, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ngacmimi i popullit serb dhe shkelja e të gjitha të drejtave të njeriut”- thuhet në reagim.

“Në fund, duam të theksojmë se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë që Kurti dhe Rada Trajkoviq t’i qepin një kapele popullit serb dhe të vendosin për jetën tonë’ – ka përfunudar Lista Serbe në reagimin e tyre.

Lidhur me këtë deklaratë të Listës Serbe, reagime pati nga politikinaja serbe Rada Trajkoviq e cila është edhe lideres së partisë GI SPO.

“Sapo jam informuar se Lista Serbe ka marrë 9 mandate të reja në Kuvendin e Kosovës për të penguar hyrjen time në të dhe për të mos lejuar që komuniteti serb në Kosovë të marrë përfundimisht përfaqësues të vërtetë politikë” – është shprehur Trajkoviq përmes loggarisë së saj në Twitter.

Kandidatët e Listës Serbe tashmë deputetët Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Millan Joksimoviq, Ksenia Bozoviq, Rados Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Jokiq, Biljana Maksiq dhe kandidati nga partia tjetër serbe GI SPO, Cvetko Velkoviq kanë zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Goran Rakiq ,Kryetar i Listës Serbe, në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.