Qeveria fton përsëri qytetarët që të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u ka bërë thirrje përsëri qytetarëve që të kontribuojnë duke dhuruar fonde në Fondin e Sigurisë.

Sipas Mehajt, ushtria përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake, po konsolidohet në vazhdimësi.

“Ushtria jonë përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake po konsolidohet në vazhdimësi. Që të jetë edhe më e fortë për të garantuar një Kosovë më të sigurt, të gjithë ju qytetarë të dashur mund të kontribuoni duke dhuruar në Fondin e Sigurisë në llogarinë aktive brenda apo jashtë vendit” – ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ministri shpjegon se për mënyra alternative se si të kontribuohet, tashmë është edhe faqja e dedikuar për Fondin e Sigurisë në eKosova që ofron informata e detaje shtesë.

“Për kontribute brenda vendit mund të përdorni llogarinë e hapur në BQK (foto 1), ndërsa jashtë vendit llogarinë ndërkombëtare (foto 2). Për mënyra alternative se si të kontribuoni, tashmë është edhe faqja e dedikuar për Fondin e Sigurisë në eKosova që ofron informata e detaje shtesë” – thekson Mehaj.

Kryeministri Kurti njoftoi të dielën se Kosova është furnizuar me dronët “Bayraktar”.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia!” – ka njoftuar kryeministri Kurti.

Fondi i Sigurisë është krijuar më 1 mars të 2022-tës me qëllim që të mblidhen mjete nga qytetarët e bizneset për të rritur buxhetin për ushtrinë e Kosovës.

Kryeministri, Albin Kurti pati thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”- ishte shprehur Kurti.

Përmes një vendimi, shuma e parave të mbledhura në këtë fond është klasifikuar si fond sekret.

Themelohet Fondi i Sigurisë së Kosovës