Ministri Sveçla do të kërkoj që “Brigada e Veriut e “Mbrojtja Civile” të shpallen organizata terroriste

Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë ditës së djeshme në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Për këto dy organizata që funksionojnë në veri Kosovës, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, tha se do të kërkoj që të shpallen terroriste.

“Ditëve në vijim do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste dhe lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”- tha Sveçla gjatë konferencës e cila po mbahet në Kampin “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut.

Ai shtoi edhe se “Që nga paslufta Kosova ka vijuar që të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar. Posaqërisht kohët e fundit dora e zgjatur e tyre ka intensifikuar sulmet terroriste, ndaj Policisë së Kosovës, veturave të tyre, stacioneve të tyre, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve e edhe qytetarëve të vendit”.

Në orën e mbrëmjes policia kishte arritur që të identifikonte makinën me targa të Beogradit rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit.

“Ka shenja me simbole të formacionit illegal criminal e terrorist “Brigada e Veriut”, shenja dalluese të njësiteve ruse, radioloidhje të njëjta me ato që janë konfiskuar në zyrën e Aleksandar Filipoviq në Komunën e Leposaviqit”- tha Sveçla.

Madje ai përmendi edhe faktin se një lloj I radiolidhjes që u gjet në veturën e sekuestruar, ishte e ngjashme me ato që ishin gjetur në zyrat e ish- shefit të Operativës në Policinë në veri, Aleksandar Filipoviqit, në Leposaviq.

“E gjithë kjo është një dëshmie radhës që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon destabilizimin e vendit tonë.  Ky rast konfirmon informacionet e pranuara se gjatë javëve të fundit nga territori i  Serbisë janë futu vetura dhe armatime të tjera ushtarake”- tha Sveçla.