Qeveria e Kosovës heq vizat për shtetasit e Singaporit

Në mbledhjen e Qeverisë sot është miratuar propozim-vendimi përmes të cilit Kosova i heq vizat për shtetasit e Singaporit.

Sipas ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, përmes këtij plotësim-ndryshimi shtetasve të Singaporit iu mundësohet lirimi nga pajisja me viza për hyrje, transit dhe qëndrim në Kosovë deri në 90 ditë, për një periudhë prej gjashtë muaj.

“Në funksion të zbatimit të nenit 11 të Ligjit për të huajt, paraqes para juve kërkesën meqenëse se shteti i Singaporit nuk figuron në listën e shteteve ndaj të cilëve republika nuk aplikon regjim të vizave, me qëllim të eliminimit të paqartësive eventuale, propozoj që të bëhet plotësimi i aneksit të vendimit të Qeverisë, e që përmes këtij plotësim-ndryshimi shtetasve të Singaporit iu mundësoheta lirimi nga pajisja me viza për hyrje, transit dhe qëndrim në Kosovë deri në 90 ditë, për një periudhë prej gjashtë mujsh” – njoftoi ajo.

Gërvalla tha se pasi është verifikuar nëse është kjo në përputhje me rregulloret dhe ligjet e Bashkimit Evropian, ka kërkuar miratimin e propozim-vendimit.