Qeveria aprovon marrëveshjen për futjen e Kosovës në programin ‘Evropa Kreative’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka aprovuar sot Draft Marrëveshja për Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian, “Evropa Kreative”.

Programi “Evropa Kreative”, sipas MKRS-së synon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit artistik dhe kulturor në nivel evropian në mënyrë që të mbështesë krijimin e veprave evropiane dhe të forcojë dimensionin ekonomik, social dhe të jashtëm të inovacionit dhe mobilitetit në sektorët kulturorë dhe kreativ të Evropës.

“Gjithashtu ky program ka për qëllim të promovoj bashkëpunimin dhe veprimet novatore duke synuar promovimin e një mjedisi të larmishëm, të pavarur dhe pluralist mediatik duke nxitur kështu lirinë e shprehjes artistike, dialogun ndërkulturor dhe përfshirjen sociale”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Pjesëmarrja e Kosovës në “Evropa Kreative” do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar qasjen në veprat kulturore dhe në forcimin e inovacionit, krijimtarisë në fushën e kulturës dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

Krahas aspektit normativ, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është angazhuar dhe në themelimin e Deskut “Evropa Kreative” në Kosovë, përmes së cilin ofrohen informacione për këtë program dhe nën programin kulturor të “Evropës Kreative”.