Adrijana Hoxhiq - Foto: KALLXO.com

PZAP ia anulon 4,205 vota Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që t’i anulojë 4 mijë e 205 vota për Inciativën e Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ, Adrijana Hoxhiq ka marrë 6 mijë e 422 vota, mirëpo me anulimin e 4 mijë e 205 votave, asaj do t’i mbesin vetëm 2 mijë e 217 vota.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se do të anulohen votat për të gjitha subjektet boshnjake në 7 komuna me shumicë serbe.

Përveç votave të Hoxhiqit, janë anuluar edhe votat për koalicionin VAKAT, SDU e Nasha.

“Anulohen në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në këto Komuna: Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Novobërdë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Sipas llogaritjeve që Hoxhiq ka në këto 7 komuna, asaj i janë anuluar 2 mijë e 276 vota.

Ndërsa në 3 komuna tjera serbe janë anuluar pjesërisht votat për subjektet politike, ku është Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit dhe Koalicionit VAKAT.

Në Komunën e Zveçanit, Leposaviqit e Mitrovicës së Veriut janë anuluar pjesërisht votat për Inciativën e Hoxhiq. Në total janë anuluar 1 mijë e 929 vota për Hoxhiqin në këto 3 komuna.

“Se ka pasur vota të orkestruara për subjekte të caktuara e të cilat vota janë fituar nga votues të cilat janë të komunitetit tjetër në krahasim me komunitetin e subjektit për të cilin ka votuar, kjo vërtetohet nga numri i banorëve në krahasim me numrin e votave të marra, ndërsa numri i banorëve pasqyrohet përmes të dhënave të marra nga Enti i Statistikave të Kosovës të vitit 2011 por edhe raporteve kredibile të OSBE-së”, thuhte në vendimin e PZAP-së.

Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre.

Me përfundimin e procesit ankimor, KQZ-ja obligohet që t’i zbatojë të gjitha vendimet e dala, e tek më pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Adrijana Hoxhiq, por ajo nuk ka qenë e qasshme në telefon.

Këtu mund ta gjeni vendimin e plotë të PZAP-së