Punëtorët e sigurimit fizik hedhin vezë para zyrave të KEK-ut. 28.08.2023. Foto: KALLXO.com

Punëtorët e sigurimit fizik hedhin vezë para zyrave të KEK-ut

Punëtorët e Sigurimit Fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë protestuar në lidhje me kthimin e tyre si punëtorë të rregullt të KEK-ut dhe jo të tenderohen sipas tyre në mënyrë të jashtëligjshme në sektorin privat.

Pikësynim i këtyre punëtorëve ishin zyret e KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës. Gjatë protestës ata ndaluan tek zyrat e KEK-ut në kryeqytet ku si shenjë e pakënaqësisë së tyre ata hodhën vezë duke goditur objektin.

Marshimi i tyre vazhdoj drejt objektit të Qeverisë së Kosovës me thirrjen “Hajnat Jashtë” si dhe me shënime të ndryshme në pankarta  si “Dje u tenderuam jashtëligjshëm edhe sot vazhdon avazi i vjetër”, “Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë po sot!“ dhe “Nuk jemi te privatizuar. Jemi te huazuar 2+1 vite” e cila ishte thirrja kryesore.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati tha se ata janë një departament që i takon KEK-ut, andaj nuk duhet të tenderohen në sektorin privat, pasi po e pasurojnë vetëm oligarkët.

Kryetari i Sindikatës së sigurimit fizik të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se me anë të kësaj proteste ata janë duke i kërkuar të drejtat e tyre legjitime të cilat sipas tyre po u shkelen.

“E di se këta punëtorë janë lodhur, për shkak se është bërë një padrejtësi në vitin 2004 kur janë huazuar. Pas kësaj huazimi që ka qenë 2 vite + 1, në vitin 2007 janë tenderuar jashtëligjshëm, dhe nuk kanë marrë asnjë aksion nga Korporata Energjetike e Kosovës. Nuk janë shkëputur kontratat me KEK-un. Pra ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani”- theksoi Llumnica.

Llumnica  më tutje foli edhe për sigurimin që KEK-u si aset duhet të ketë.

“Kemi diskutuar shumë herë ku parashihet që KEK- u si aset me rëndësi të veçantë meriton të ketë sigurimin e vetë, jo me sigurime private. Në krizën energjetike globale që ishte, Korporata Energjetike e Kosovës ajo që furnizoi qytetarin me energji dhe asnjëherë nuk kishte mungesë, por me çfarë sigurie me një sigurim privat dhe të tenderuar jashtëligjshëm” – shtoi Llumnica.

Llumnica paraqiti edhe disa kërkesa Qeverisë së Kosovës që sa të ketë mundësi atë që ka premtuar dje ta realizojë sot.

“Sa të ketë mundësi atë që Qeveria e Kosovës atë që ka premtuar dje kur ishin në opozitë të realizojë sot, pra sa janë në pozitë. sepse edhe sot tenderohet ky departament, jashtëligjshëm. Pra kta puntorë nuk kanë marrë aksione dhe kta puntorë meritojnë të kthehen në koorporatën energjetike të Kosovës , aty ku kanë vendin”, theksoi Llumnica.

Llumnica i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për ndërhyrjen e menjëhershme në bordin e KEK-ut, zyrat e prokurimit dhe zyrës ligjore të KEK-ut.

“Me sinqeritet i lutem Qeverisë së Kosovës të ndërhyjë në bordin e KEK-ut, në menaxhmentin dhe zyrën e prokurimit, që mos të tenderohen ky departament më tutje sepse janë duke u tenderuar jashtëligjshëm”, shtoi Llumnica si përfundim.

Protestuesit në një pikë u ulën tek sheshi “Skënderbeu” duke pritur kështu që kryeministri Albin Kurti të dalë dhe të japë një përgjigje për kërkesat e tyre, por kjo nuk ndodhi.

Monitorimi i Policisë së Kosovës nuk ka munguar gjatë protestës, ata mbajtën rregullin e protestës në mënyrë paqësore.

Protesta kishte filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skënderbeu” në kryeqytet.

Dhjetëra punëtorë të shërbimit të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), u mblodhën në marshin protestues të organizuar nga sindikata “Mbrojtja dhe siguria” ku kërkesat kryesore të tyre ishin respektimi i të drejtave të garantuara me ligj për këta punëtorë, dhe kthimin e Departamentit të sigurisë fizike në KEK.

Ata kërkuan të takohen me kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Me pankarta në duar mbishkrimet e të cilave ishin “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, “Ne duam të kthehemi”, “KEK-u ka interes”, “Pse nuk jemi aty?”, pikënisjen e këtij marshi punëtorët e filluan nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Kosovës.

Punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut protestojnë në Prishtinë – FOTOGALERI