Protesta e punëtorëve të shërbimit të sigurimit fizik të KEK-ut, 15 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut protestojnë në Prishtinë - FOTOGALERI

Dhjetëra punëtorë të shërbimit të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), u mblodhën sot në marshin protestues të organizuar nga sindikata “Mbrojtja dhe siguria” ku kërkesat kryesore të tyre ishin respektimi i të drejtave të garantuara me ligj për këta punëtorë, dhe kthimin e Departamentit të sigurisë fizike në KEK.

Ata kërkuarn të takohen me kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Me pankarta në duar mbishkrimet e të cilave ishin “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, “Ne duam të kthehemi”, “KEK-u ka interes”, “Pse nuk jemi aty?”, pikënisjen e këtij marshi punëtorët e filluan nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i shoqatës sindikale “Mbrojtja dhe Siguria”, Haki Azemi i ka dhënë kohë Qeverisë dhe KEK-ut që t’i përfillin kërkesat e tyre deri më 23 mars, duke paralajmëruar së në rast se ndodhë e kundërta punëtorë do të fillojnë grevën me 24 mars deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Nuk jemi të gatshëm që tutje të punojmë për ca kompani private të lidhura drejtpërdrejtë me politikën të cilën na kanë mbajtur peng nga nga viti 2004 deri sot. Në rast se deri me datën 23 mars kërkesat tona nuk realizohen ose së paku nuk mirret vendim i shkruar në lidhje me këto kërkesa, me datën 24, ora 7:00 në mëngjes mbyllen rampat e KEK-ut dhe shpallet greva gjithëpunëtore” ka shtuar Azemi.

Kërkesë për Qeverinë e Kosovës pati dhe kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica i cili kërkoi nga krerët e ekzekutivit realizimin e premtimeve që i janë bërë në të kaluarën kësaj klase punëtore.

“Kjo qeveri e tanishme në një të kaluar na ka thënë që keni të drejtë plotësisht, sepse huazimi nuk është privatizim, sepse kjo shoqëri nuk ka marrë aksione, sepse këtë shoqëri nuk e ka privatizuar askush, kjo po tenderohet paligjshëm. Prandaj sot po i themi, mos i kërkoni edhe ju 20 vjet po filloni punën ashtu siç ju keni premtuar kësaj klase punëtore, këtij departamenti, i cili nuk është privatizuar, i cili tenderohet edhe sot por edhe sot është në mënyrë të paligjshme”, ka thënë ai.

Para Objektit të Qeverisë së Kosovës, protestuesit u ulën këmbëkryq duke pritur kryeministrin Albin Kurti që të dalë jashtë për të biseduar dhe dëgjuar kërkesat e tyre, mirëpo pasi një gjë e tillë nuk ndodhi të njëjtët drejtimin e morën për tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Nën fishkëllima ata priten edhe para legjislativit.

Këtë herë kërkesa e tyre ishte takimi me deputetë apo shefa të grupeve parlamentare të cilëve mund tu adresonin ankesat e tyre, mirëpo as para Kuvendi një gjë e tillë nuk ndodhi.

Më poshtë gjeni fotogalerinë nga protesta: