Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL/Shutterstock

Pse Europa i druan vërshimit të mallrave të lira nga Kina?

Tarifat e presidentit Donald Trump ndaj Kinës mund të çojnë drejt një skenari të rrezikshëm për vendet europiane: dumping të produkteve të lira artificialisht që do të cenonin industritë vendase, shkruan gazeta amerikane, “The New York Times”, në analizën për ndikimin e vendimeve të liderit amerikan në ekonominë europiane

Kina për vite me radhë ka përbërë sfidë ekonomike për Europën. Tani, ky vend mund të kthehet në katastrofë ekonomike.

Ekonomia kineze prodhon një mori mallrash të lira artificialisht – makina elektrike, pajisje elektronike, lodra, produkte tregtare me material çeliku dhe shumëçka tjetër që e subvencionon me të madhe – por shumica e asaj tregtie destinohet për tregun e madh amerikan.

Tani, shumë prej atyre mallrave do të përballen me tarifa të jashtëzakonshme. Sherri i presidentit Trump, po rritet frika se më shumë prodhime do të vërshojnë Europën, duke dobësuar industritë vendase në Francë, Gjermani, Italia dhe në mbarë Bashkimin Europian.

Edhe vetë këto vende janë kurthuar prej luftës tregtare spiralizuese të Trumpit me Kinën. Liderët e këtyre shteteve po kanë telashe që të ecin përgjatë tehut të shpatës dhe konfrontimit, duke shpresuar se do të shmangin dëmin kolateral.

“Europa të çojë krye në mbrojtje të vetvetes”

“Kapaciteti i mbingarkuar ka marrë kohë të gjatë, por më në fund ka arritur në kryeqytetet europiane”, ka theksuar Liana Fix, pjesë e grupit të pavarur të mendimit, Këshilli Europian për Marrëdhënie të Jashtme. “Ka një trend dhe ndjenjë të përgjithshme në Europë se në këto kohëra, Europa duhet të çojë krye në mbrojtje të vetes”.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, ka premtuar “angazhim konstruktiv” me Kinën, megjithëse ka paralajmëruar për “efektet e tërthorta” të tarifave amerikane, dhe është zotuar se do të përcjellë nga afër qarkullimin e mallrave kineze. Një task-forcë e re do të monitorojë importet nëse ka shenja dampingu.

“Ne nuk mund të thithim mbikapacitetin global, sikur se nuk do të pranojmë as dumpingun në tregun tonë”, ka deklaruar Von der Leyen me të hyrë në fuqi tarifat e presidentit Trump.

Mesazhi i saj i sertë, por i matur ndaj Kinës dhe Shteteve të Bashkuara njëherësh u ka lënë përshtypje ekspertëve të tregtisë, të cilët thonë se kjo mund të jetë rruga më e mirë që Europa ta shmangë katastrofën ekonomike.

Janka Oertel, drejtoreshë e programit për Azi në Këshillin Europian për Marrëdhënie të Jashtme, e ka quajtur kundërpërgjigje “të esëllt” ndaj kërcënimit nga Pekini.

“Ata vazhdojnë të mbajnë qëndrim ndaj Kinës, sepse ndryshe do të humbin terrenin”, ka thënë ajo.

Goditje e dyfishtë

Por piketat e larta të këtij momenti po testojnë unitetin europian.

Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës, ka udhëtuar javën e kaluar drejt Pekinit që të takonte liderin kinez, Ji Xinping, duke bërë thirrje për më shumë angazhim me Kinën në kohën e tarifave amerikane ndaj Kinës. Qasja e tij, shoqëruar edhe me imazhe të shtrëngimit të fortë të duarve me liderin kinez, erdhi në kohën kur shefja e Komisionit Europian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, vazhdon të kërkojë garanci nga Pekini se nuk do të ketë përshkallëzim dumpingu.

Gjermania vjet kundërshtoi ngritjen e tarifave ndaj makinave elektrike të vëna nga Bashkimi Europian nga frika se Kina do të mund të rriste tarifat ndaj industrisë gjermane të makinave. Në Britani, që më nuk është pjesë e bllokut europian, kryeministri Keir Starmer, ka bërë thirrje marrëdhënie “konsistente, të qëndrueshme dhe të respektuara” me Kinën, derisa ai po mundohet t’i japë drejtim të ri ekonomisë britanike në halle.

“Skenari më i keq janë tarifat e larta amerikane”, në kohën kur “Kina po vërshon tregun europian”, ka theksuar Noah Barkin, këshilltar i lartë i organizatës për kërkime politike, Grupit Rhodium. Ai ka thënë se kjo do të ishte “goditje e dyfishtë për industrinë europiane. Dhe pikërisht këtë Europa po mundohet ta shmangë”.

Pikë e pesë

Liderët, të cilët pretendojnë se raportet më të afërta me Kinën mund të jenë kundërpërgjigja, qysh ia ha mendja Sanchezit të Spanjës dhe Starmerit të Britanisë, duket se kanë marrë përkrahje politike në kohën kur shtetet po mundohen me mish e me shpirt që të sigurojnë investime të huaja.

Deklarimet se një fabrikë e re kineze që do të krijonte mijëra vende të reja pune janë popullore në vend. Por ka çaste kur thuhet se yshtja mund të cenojë konsistencën europiane, është mesazhi europian për tregtinë.

“Spanja i sheh gjërat krejtësisht ndryshe prej Polonisë”, ka theksuar Theresa Fallon, drejtoreshë në Qendrën e Brukselit për Studime të Rusisë, Europës dhe Azisë. “Ka një debat të vazhdueshëm në Europë për atë se çfarë duhet të jetë qëndrimi i tyre kundrejt Kinës”.

Por ekspertët e tregtisë thonë se raportet ekonomike ndërmjet Europës dhe Kinës janë të rrënjosura në një realitet disadekadësh; një treg kinez që efektivisht është i mbyllur për shumë kompani europiane për shkak të pengesave rregullative dhe kontrollit të kompanive kineze nga Partia Komuniste. Deficiti tregtar me Kinën ishte pothuajse 292 miliardë euro më 2023.

“Rivale sistematike”, apo “partnere e rëndësishme”?

Lidershipi i BE-së e përshkruan Kinën si “rivale sistematike”, dhe marrëdhëniet me shtetin aziatik kanë shënuar tkurrje viteve të fundit për një mori arsyesh, përfshirë përkrahjen kineze për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Bisedimet e fundit ndërmjet liderëve më të lartë europianë dhe kinezë kanë pasur paralajmërime të qarta prej palës europiane.

“Raportet e fundit tregtare ndërmjet BE-së dhe Kinës mbesin të pabalancuara”, thuhej në një deklaratë pasi Maros Sefçoviq, komisionari i BE-së për tregti, vizitoi Pekinin që të diskutonte qasjen në tregun kinez. Deklarata nënkuptonte tensionet gjatë vizitës, duke theksuar se Kina dhe Europa kanë deficit tregtar në rritje, të shkaktuar prej “subvencionimeve ilegale”.

Zyrtarët europianë për vite me radhë kanë kërkuar lëshime nga Kina, që përfshijnë kufizime të mallrave të lira të transportuara nëpërmjet rrugëve detare dhe një çmim minimal për produktet që subvencionohen nga shteti kinez, por që europianët mendojnë se po i dëmtojnë padrejtësisht bizneset europiane.

Njëherësh, zyrtarët kinezë ditëve të fundit janë treguar të zellshëm që ta përshkruyajnë Europën si partner të ngushtë tregtar. Në Kinë nuk është folur fare publikisht për gjuhën e ashpër të deklaratës europiane pas vizitës së Sefçoviqit. Pekini ka thënë se përfaqësuesi europian e ka përshkruar Kinën si “partnere të rëndësishme” dhe se të dy ekonomitë do t’i rezistojnë bashkërisht “uniulateralizmit dhe proteksionizmit”.

Ndikimi i Trumpit

Dhe pas kumtimit të tarifave më 2 prill nga presidenti Trump, Ministria kineze e Tregtisë ka bërë të ditur se është pajtuar që të rifillojë negociatat me bllokun lidhur me tarifat më të larta të Europës ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë.

Kur janë pyetur për njoftimin, zyrtarët europianë kanë mbajtur një qëndrim më të dyzuar.

Olof Gill, zëdhënës për tregti i Bashkimit Europian, ka thënë se zyrtarët janë pajtuar që “t’i vazhdojnë diskutimet” për zinxhirët e furnizimit të makinave elektrike dhe që t’i hidhet “edhe një sy” çmimit të tyre.

Shtytja e Kinës nganjëherë ka qenë më e hapur. Misioni i Kinës në Bashkimin Europian ka botuar një mori shkrimesh të sponsoruara në uebfaqen Euractiv, burim i njohur në qarqet politike të Brukselit,. Shkrimet qendërsohen sesi Kina dhe Europa mund të kenë raporte më të ngushta. “Me një uragan që po fryn përgjatë Uashingtonit, Kina po duket më shumë si një partnere strategjike për Europën”, shkruhej në njërin prej tyre.

Tani për tani, Bashkimi Europian ka treguar pak gatishmëri se përqafon këtë qasje – në vend të kësaj ka shtyrë Kinën që të arrijë një ujdi me Shtetet e Bashkuara, me shpresë se nuk do t’i vuajë pasojat në rast dështimi.

Një samit ndërmjet BE-së dhe Kinës pritet të mbahet sivjet, mundësisht në gjysmën e dytë të korrikut.

“Ma merr mendja se në thelb Europa thjesht po shpreson ta kalojë verën pa iu prish tymi, pak a shumë, dhe që ekonomia të mos e marrë theqafjen”, ka thënë Fix. “Ta aterrojë disi aeroplanin deri në verë, dhe pastaj të përgatitet për çfarëdo që mund të pasojë”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com