Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse Bedri Hamza e fitoi Mitrovicën pa balotazh?

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka thënë se ishin disa arsye pse ai ftoi pa balotazh në garën për të udhëhequr këtë komunë.

Në “Kallxo Përnime” ai tha se nuk ishte një garë e lehtë por ishte e përgatitur mirë fushata. Sipas tij, ekipi kishte një rol të rëndësishëm në fitoren përballë kundërkandidatëve.

“Mendoj që secili kandidat që garon, mendoj që ka rëndësi shumë se kush po garon. Unë kam qenë asamblist pastaj edhe në nivelin qendror. Kam jetuar gjatë gjithë kohës në Mitrovicë dhe kam pasë një komunikim të mirë e korrekt në Mitrovicë. Kjo ka qenë një prej arsyeve”, tha ai.

“Pastaj, një ekip të mirë garues, burra e gra, djem e vajza, me një program të mirë, jo futoristike por të bazuara. Mendoj që këto kanë qenë disa prej arsyeve pse në Mitrovicë mos të ketë balotazh”, deklaroi kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut.

Hamza ka treguar edhe arsyen se pse vendosi t’i hyjë garës për tu zgjedhur kryetar.

“Kam bashkëbiseduar shumë herë me vetveten, jam ra në gjumë ndoshta si kandidat e jam zgjuar jo si kandidat. Ka qenë një garë me risk. Kam dashtë me u bë kryetar i komunës sepse kam pranu me u bë kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë dhe kjo tregon që je një kandidat i mundshëm për kryetar të komunës”, tha ai.