PSD proteston më 24 dhjetor kundër Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate ka njoftuar se do të organizojë një protestë më 24 dhjtor ngaora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” për të kundërshtuar Gjykatën Speciale.

Kështu ka bërë të ditur kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Gjykatat që sjellin padrejtësi duhet t’i kundërshtojmë fuqishëm sepse ato nuk flasin në emër të popullit të Kosovës. Prandaj ftojmë çdonjërin e çdokënd, që të shtunën, me 24 dhjetor, nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” të protestojmë një zëri kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale” – ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Sipas Molliqajt, duhet që të amadamentohet ligji për Dhomat e Specializuara pasi siç ka thënë ai, nenet më problematike të ndryshohen e kjo gjykatë të shndërrohet në trup gjykues që sjell drejtësi.

“Për neve dy rrugë janë të qarta sesi duhet të veprohet; Së pari, nevojitet urgjentisht të amadamentohet ligji për Dhomat e Specializuara ashtu që nenet më problematike të ndryshohen e kjo gjykatë të shndërrohet në trup gjykues që sjell drejtësi. Kështu siç është, ajo riprodhon padrejtësi në njërën anë dhe shtrembëron historinë e luftës çliruese të UÇK-së në anën tjetër” – është shprehur ai.

Më tej Molliqaj tha se vendimi ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa ishte shqetësues e alarmues.

Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.