Protestuesit para Këshillit Prokurorial, kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi

Qindra protestues kanë vazhduar marshin nga objekti i Qeverisë tek objekti i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Nën thirrjet “Kujtim ik”, ata kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

Bjeshkë Guri, njëra nga organizatoret e protestës ka thënë se Prokuroria kishte dështuar të merrte ndonjë hap për t’i ofruar trajtim të duhur rastit të vajzës së mitur.

“Ne kërkojmë urgjentisht shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi”- ka thënë ajo.

“Të premten u njoftuam se vajza 11-vjeçare përpos përdhunimit, ajo kishte qenë edhe viktimë e trafikimit nga gjashtë burra të tjerë dhe për këtë prokuroria kishte qenë në dijeni. Prokuroria kishte dështuar të merrte ndonjë hap për t’i ofruar trajtim të duhur rastit të vajzës së mitur dhe gjetjes së përdhunuesve u deshtë një protestë dhe presion i madh publik që informatat të dalin në pah” – ka shtuar aktivistja Guri.

Protestuesit po vazhdojnë protestën të ulur para objektit të KP-së, në shenjë revolte për shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi.

Me qindra njerëz janë mbledhur përsëri sot para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Me pankarata në duar, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshirë në ketë rast.

Organizatorët e kësaj proteste po kërkojnë edhe: Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray); Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës; Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici; Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe  Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.

Viktima dyshohet se është dhunuar për shtatë orë, më 27 gusht 2022, nga ora 17:30 deri më 00:30.

Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona të dyshuar.

Dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares nga pesë persona, tre nga ta të mitur, gjatë një intervali kohor prej 7 orë, ka mbledhur me qindra protestues në sheshin “Zahir Pajaziti” të merkurën e javës së kaluar.

Përveç Prishtinës, edhe në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Tiranë e Shkup, të mërkurën është kërkuar drejtësi për vajzën 11-vjeçare.

Dje KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.