Protesta e Njësisë Speciale Intervenuese, Abdixhiku i drejtohet Qeverisë: Hiqni ca mëditje nga shëtitjet e thata

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese kanë të ardhura mujore mesatare mbi 2 mijë e 200 euro gjatë këtij viti.

Lidhur më këtë deklarim ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili u shpreh se për të marrë këto 2,200 euro, u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë.

“Për t’i marrë 2,200 euro u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë dhe atë çfarë pune e çfarë gjumi se! I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun”- ka thënë Abdixhiku.

“Paga e tyre është 630 euro BRUTO! Kaq paguhen. 550 euro NETO!”- shtoi tutje ai.

I pari i LDK-së tutje theksoi se këta djem meritojnë dinjitet. Ai i bëri thirrje Qeverisë të heqin ca meditje nga shëtitjet e thata.

“Po kërkojnë dinjitet dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca meditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë”- shtoi tutje ai.

Sipas Abdixhikut, një Qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë.

“Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë!”- potencoi ai.

“Por Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend.  Drejt fundit”- ka shtuar më tej Abdixhiku.

Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) ka rreth 70 pjesëtarë të cilët operojnë në terren ndërsa ajo e Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive mbi 10 pjesëtarë.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Shtesat fillojnë nga 45 euro minimumi, deri në 150 euro maksimumi, varësisht nga pozita dhe kategoria.

Kjo është paga bazë e një polici të Njësisë Speciale Intervenuese, tregojnë se në muajin e fundit punuan mbi 380 orë shtesë