Prokuroria Speciale ngrit Aktakuzë ndaj një personi për krime lufte ndaj popullsisë civile

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj një personi me dyshimin e bazuar për “krime lufte kundër popullsisë civile”, në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës.

Aktakuza është ngritur më 19.03.2025, ndaj të pandehurit M.I., i nacionalitetit shqiptar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me Nenin 142 lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së (ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë) – njofton Prokuroria përkatëse.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë vëretuar se M.I. ka vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe; ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare.

“Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.” – shkruan Prokuroria Speciale.

Ky institucion i Drejtësisë ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform Dispozitave të Kodit të Procedurës Penale (KPPK), për shkak se i pandehuri gjendet në arrati.

“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para Drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë.” – përmbyllet njoftimi.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.