Ilustrim: Karaçevë

Prokuroria kërkon paraburgim për 24 të arrestuarit e dyshuar lidhur me Karaçevën

Prokuroria në Gjilan ka kërkuar paraburgim për 24 të arrestuarit e dyshuar në lidhje me aksionin në kazinotë në fshatin Karaçevë të Kamenicës të zhvilluar me 01 Tetor 2020.

Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit R.S., L.M., F.A., A.A., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., R.K., I.Th., R.A., A.Th dhe F.K., që nga muaji Nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë  komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të  kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale  jashtë  vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Tutje në kërkesën e prokurorisë thuhet që  të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.R., A.H., H.M. dhe J.B., që nga muaji Dhjetor 2019, si persona përgjegjës të bizneseve për përpunimin e mishit, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kanë blerë gjedhe, për të cilat kanë pasur dijeni se janë të kontrabanduara dhe me qëllim të shitjes kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim produkte të mishit, pa u bërë kontrollet e nevojshme sipas standardeve.

Sipas prokurorisë, i pandehuri I.K., që nga muaji Shtator 2019, deri më 18 Shtator 2020,  në lokalin  Automate  Club, në fshatin Karaçevë komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të kundërligjshme  dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj .

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet sot para gjyqtarit të procedurës paraprake.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me këtë aksion dhe mudn t’i lexoni artikujt në këtë LINK.