Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
I shumëkërkuari në rastin e kazinove në Karaçevë lirohet nga paraburgimi
Mentor Maqani është liruar nga paraburgimi. I njëjti ka qenë në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprat penale – organizim i lojërave të fatit dhe kontrabandë.
KALLXO.com mëson se i njëjti është liruar gjatë ditës se sotme.
Mentor Maqani ka qenë i kërkuar për më shumë se dy muaj nga organet e drejtësisë nën dyshimet për organizim të lojërave të fatit dhe kontrabandë.
I njëjti u është dorëzuar para disa ditëve organeve të drejtësisë.
Siç kishte mësuar KALLXO.com avokati i Maqanit kishte njoftuar Policinë se klienti i tij gjendej në QKUK pasi kishte probleme shendetësore.
Kujtojmë se Maqani edhe vitin e kaluar kur ishte arrestuar nën dyshimin për fajde dhe detyrim, kohën më të madhe e kishte kaluar në QKUK për shkak të problemeve shëndetësore.
Maqani mendohej të dërgohej në Burgun e Sigurisë së Lartë pas marrjes së trajtimit mjekësor në QKUK. Aty do të mbante paraburgimin për veprat që dyshohej.
Maqani ka qenë një nga të dyshuarit në listën e personave të cilët kanë funksionuar në zonën e Karaçevës, vend ky i cili gjendet në komunën e Kamenicës vetëm pak kilometra larg kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas arrestimit të Maqanit seanca për caktimin e masës së paraburgimit për të njëjtin ishte mbajtur në QKUK.
KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me rastin e Karaçevës por edhe rastin për të cilën ishte arrestuar Maqani vitin e kaluar.