Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Lirohen nga paraburgimi 10 të arrestuar në rastin Karaçeva

Dhjetë persona kanë pranuar që të bashkëpunojnë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe në anën tjetër kanë pranuar veprat të cilat u janë ngarkuar në lidhje me rastin e aksionit të gjerë i cili ndodhi në shtator në fshatin Karaçevë.

Nga dhjetë të cilët janë liruar, tre nga ta janë edhe zyrtarë policor. Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

“Po kam kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit për dhjetë të tjerë të arrestuar në rastin e Karaçevës. Kjo pasi që të njëjtit kanë pranuar marrëveshjet, fajësinë si dhe kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë për të zbardhur lidhjet por edhe për të zbardhur rrjetin i cili funksiononte në zonën e Karaçevës me kazino ilegale dhe kontrabandë”, tha prokurorja Manastiri për KALLXO.com.

Gjithashtu prokurorja Manastiri ka bërë kërkesë për paraburgim edhe për B. G., i cili u dorzua gjatë ditës së djeshme në prokurori ndërsa ishte në kërkim që nga 18 shtatori kur edhe filloi aksioni në zonën e Karaçevës.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi për dorëzimin e B. G., i cili sipas prokurorisë dyshohet se është pronari i njërës nga kazinot ilegale që funksiononte kundër ligjit në Karaçevë.

Me të dorëzuarin e fundit, numri i të arrestuarve në lidhje me rastin në Karaçevë ka mbërri në 67.

Nga totali i të arrestuarve ndër ta janë edhe 12 zyrtarë policor të cilët dyshohen se kishin mundësuar që të zhvillohej kontrabanda në zonën e cila konsiderohej për një kohë të gjatë si e paprekur, pra zona e Karaçevës e cila gjendet vetëm pak kilometra larg vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Përveç të arrestuarve në dy aksione të ndara, u konfiskuan një mori provash e materialesh të cilat janë përdorur dhe do të përdorën në proceset gjyqësore ndaj të arrestuarve.