Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

15 nga të arrestuarit në rastin e Karaçevës pranojnë të bashkëpunojnë me Prokurorinë

Mbi 50 ka shkuar numri i të arrestuarve në lidhje me rastin e Karaçevës. Këto arrestime u kryen në dy faza të ndara, ajo e aksionit në kazinotë në Karaçevë dhe faza e dytë ku u ndërmorën masa në mishtoret dhe fabrikat e mishit nëpër Kosovë ku dyshoheshin se ishin blerë kafshët e kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

Prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri, për KALLXO.com ka treguar se 15 nga të arrestuarit në dy fazat e ndara janë liruar nga masa e paraburgimit pasi që të njëjtit kanë pranuar fajësinë si dhe të bashkëpunojnë me Prokurorinë.

“Ndaj 24 të arrestuarve nga grupi i parë në rastin e Karaçevës, është kërkuar vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj dhe e njëjta është aprovuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ndërsa vlen të theksohet se 15 të arrestuarit nga dy rastet që i kemi pasur nga faza e parë dhe të dytë të rastit të Karaçevës, janë liruar nga masa e paraburgimit por jo nga përgjegjësia, pasi që të njëjtit kanë pranuar fajësinë si dhe kanë pranuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë në lidhje me zbardhjen e rastit”, tha Manastiri për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi për arrestimin e një bashkëpronarit të një kazinoje në Karaçevë.

Arrestimi i të dyshuarit u bë gjatë ditës së sotme ndërsa prokurorja Manastiri për KALLXO.com tha se do të kërkojë edhe masën e paraburgimit për të njëjtin.

I arrestuari i ditës së sotme po dyshohet për veprën penale të organizimit të skemave piramidale.

Në Karaçevë u ndërmor aksioni në lidhje me dyshimet se po zhvilloheshin lojëra të fatit dhe kontrabanda.

12 zyrtarë policor janë arrestuar nën dyshimin se kanë ndihmuar dhjetëra qytetarë të kryenin kontrabandën me kafshë të cilat vinin nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë e të cilat përfundonin në mishtoret dhe fabrikat e mishit në Kosovë.

Njëri nga zyrtarët policor për të cilin ka raportuar KALLXO.com, Ferid Leci, po dyshohet për dy vepra penale, atë të organizimit të skemave piramidale si dhe për kontrabandë.

Si nisi hetimi i rastit Karaçeva?

Prapaskenat e operacionit Karaçeva – VIDEO