Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Lirohet nga paraburgimi polici Ferid Leci i arrestuar në rastin e Karaçevës

Polici Ferid Leci është liruar nga paraburgimi gjatë ditës së djeshme me vendim të Gjykatës së Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i Gjykatës së Gjilanit, Ramiz Azizi.

I njëjti tha se Leci ka qëndruar në paraburgim për katër muaj dhe se ka vlerësuar se i njëjti duhet liruar.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka mësuar se prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri, kishte kërkuar që ndaj Lecit të vazhdohej masa e paraburgimit.

Në rastin e Karaçevës janë arrestuar 12 zyrtarë policorë.

Këta zyrtarë policorë dyshohen se lejuan kontrabandën  në këtë zonë e po ashtu mundësuan organizimin e lojërave të fatit.

Pjesë e grupit është edhe polici Ferid Leci, i cili dyshohet se është pronar i njërës prej kazinove që funksiononte në Karaçevë.

Prokuroria në Gjilan në kërkesën për paraburgim kishte theksuar se njëra nga objektet që funksiononte si kazino në fshatin Karaçevë ishte në pronësi të zyrtarit policor Ferid Leci, madje i njëjti kishte ndihmuar duke u krijuar hapësira të lira disa qytetarëve që janë arrestuar në po të njëjtin aksion, të kryenin kontrabandë me kafshë.

Leci ishte dorëzuar një ditë pas aksionit në fshatin Karaçevë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me rolin dhe arrestimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më saktësisht të Departamentit të Kufirit, të cilët u arrestuan mbrëmjen e 18 shtatorit në një aksion të gjerë të udhëhequr nga Prokuroria e Gjilanit, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Departamenti kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit i Policisë së Kosovës.

Në po këtë aksion u arrestuan më shumë se 50 persona.

Gjithashtu në fshatin Karaçevë u rrënuan 12 objekte në të cilën zhvilloheshin lojërat e fatit.