Prokuroria jep detaje për sulmin ndaj gazetarëve të RTV Dukagjini
Një ekip i gazetarëve të RTV Dukagjini dyshohet se janë sulmuar fizikisht dje derisa po raportonin në lagjen Pejton të Prishtinës.
Lidhur me rastin, më urdhër të prokurorit janë ndaluar dy persona.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit janë ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Sulm”. Lidhur me këtë çështje penale, prokuroria në koordinim me policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore”, ka thënë Ulaj.
Për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve ka reaguar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar rastin, duke shtuar se kjo shton edhe më shumë pasigurinë e gazetarëve në punën e tyre të përditshme.
Sipas AGK-së ekipi ishte përbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj.
“Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Policia jep detaje për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të RTV Dukagjini