Policia jep detaje për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të RTV Dukagjini

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të dyshuar për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të Radio Televizionit Dukagjini, sot në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 13:30, është raportuar për një sulm fizik të ndodhur në rrugën ‘Robert Doll’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që një person ka sulmuar ankuesin dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë ai.

Sipas Borovcit, ndërlidhur me rastin policia ka arrestuar një të dyshuar, burrë rreth 70 vjeç, “përderisa ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordimin me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese për procedim të mëtejmë të rastit”.

Për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve ka reaguar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar rastin, duke shtuar se kjo shton edhe më shumë pasigurinë e gazetarëve në punën e tyre të përditshme.

Sipas AGK-së ekipi ishte përbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj.

“Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Sulmohet ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini