Prokuroria jep detaje për aksionin në Shtërpcë

Nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj janë duke zhvilluar një aksion në disa lokacione. 

Prokuroria ka treguar se janë duke u bastisur katër lokacione të ndryshme ndërsa është duke u bërë edhe largimi i kamerave të vendosura nga strukturat paralele. 

Deri më tani prokuroria ka thënë se nuk ka ndonjë person të arrestuar. 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi ekskluzivisht për rastin “Brezovica”. 

Prokurori i rastit Rasim Maloku në një prononcim për KALLXO.com sot tha se aksioni i sotëm nuk lidhet direkt me rastin “Brezovica”.

“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar  me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, theksoi Maloku, duke shtuar se sot janë duke u bastisur 4 lokacione.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, tha Maloku për KALLXO.com.

Aksion i gjerë i policisë në Shtërpcë – FOTO