Ilustrim
Suspendohen tre zyrtarë policorë pas arratisjes së Millan Radojiçiq
Tre zyrtarë policorë, të cilët kanë qenë në punë dhe pikë kontrolli në pikën kufitare në Bërnjak, janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Suspendimi erdhi pasi që të njëjtit nuk kishin arrestuar Millan Radojiçiq mbrëmjen e kaluar dhe i njëjti kishte arritur që të arratisej drejt Serbisë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe prokurori Rasim Maloku.
KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin Rasim Maloku, i cili ditë më parë ka vendosur në listën e personave të kërkuar Radojiçiqin, në lidhje me rastin “Brezovica”.
Maloku konfirmoi se është kryer suspendimi i tre zyrtarëve policorë ndërsa shpjegoi se është duke u hetuar e gjithë ngjarja dhe neglizhenca për arrestimin e tashmë të kërkuarit Millan Radojiçiq.
Kujtojmë se Radojiçiq nuk është për herë të parë në “stop-listë”. Ai ishte vendosur në listë edhe për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Fletarresti për të njëjtin, në lidhje me rastin e Ivanoviq, ishte tërhequr në mënyrë misterioze.
“Kam urdhëruar hetimet për këtë çështje dhe do të shohim nëse ka pakujdesi, neglizhencë, do të shohim çka do të dalë nga hetimi, të shohim edhe çështjen e kamerave, informacionet fillestare i kemi se kamerat nuk kanë funksionuar në kohën e arratisjes. A kanë qenë defekt i mëhershëm apo i tanishëm për momentin nuk e dimë”, tha Prokurori Maloku.
IPK para pak minutave njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e zyrtarëve policorë.
“Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e IPK.
Millan Radojiçiq mbrëmjen e kaluar është arratisur në pikën kufitare Bërnjak.
Arratisja e tij nuk u incizua pasi kamerat e vendosura në disa pika të ndryshme në kufirin në Bërnjak nuk funksiononin.
KALLXO.com raportoi se Millan Radojiçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.
Pasi i kishte dorëzuar dokumentet te zyrtarët e Policisë Kufitare, Radojiçiq ishte urdhëruar të parkonte veturën pasi ishte kuptuar se ai gjendej në “Stop listë”.
Burime të KALLXO.com thanë se Radojiçiq në këtë moment ishte arratisur drejt territorit të Serbisë, duke i lënë dokumentet te zyrtarët kufitarë të Kosovës.
Skandaloze – Kamerat nuk punuan në kohën kur u arratis Millan Radojiçiq në pikën kufitare