Mentor dhe Ruzhdi Ramadani, Foto: KALLXO.com

Punëtori i lënduar në punë rrëfen se ish-shefi ia falsifikoi kontratën

Pesë vite më parë, Mentor Ramadani kishte pësuar një aksident në vendin e tij të punës në Gjakovë. 

Nga ajo kohë, Mentor Ramadani, edhe sot nuk mund të ecë me këmbën e tij të majtë për shkak të ndërhyrjeve të shumta kirurgjike që ka pasur në të.

Ai në emisionin e sotëm ka rrëfyer se ende nuk ka përfunduar rasti në lidhje me kompensimin e dëmit ndaj tij derisa shpjegon se një tjetër rast është hapur në Prokurorinë e Ferizajt, kësaj radhe për falsifikim të kontratës së tij të punës. 

Mentor Ramadani ngriti dyshimet se ndaj ish- shefit të tij Kadrush Rexhepit në Prokurorinë Themelore në Ferizaj është ngritur aktakuza për falsifikim të kontratës së tij ndërsa shton tutje se Rexhepi është ‘amnistuar’ nga një vepër tjetër penale e cila është më e dënueshme se ajo e falsifikimit. 

Mentor Ramadani dhe vëllai i tij, Ruzhdiu, kanë ngritur dyshime se prokurori i rastit nuk po e trajton lëndën në mënyrën e duhur dhe kjo mund të ndikojë negativisht te ta. 

Fillimisht Ruzhdi Ramadani, vëllai i Mentorit, kishte bërë kërkesë kohë më parë që të kishte lëndën në të cilën i dëmtuar ishte vëllai ndërsa Prokuroria nuk ia kishte lejuar qasjen me arsyetimin se ai nuk ishte palë e përfshirë në këtë proces. 

KALLXO.com ka ndjekur nga afër edhe pjesën e kërkesës së vëllezërve Ramadani që ta posedojnë lëndën deri sa ata e kishin pranuar anipse gjatë po të njëjtës kishin pranuar një refuzim. 

“Sot është dashtë me dalë nga shtëpia për me shku në Prokurori dhe Gjykatë me kërku landën sepse që dy vite që e kemi lëndën në gjykatë hala nuk kemi fillu me proces gjyqësor. Kemi shku me lyp landën për falsifikim të nënshkrimit dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë. U dashtë unë me ardhë me lyp se prokuroria nuk e kanë ngrit aktakuzën për landën tem. Vëllai ka shku 5-6 herë edhe avokati e ka kërku landën po nuk ua ka dhënë. Nuk e di pse por sigurisht ka ndonjë problem te lënda”, tregon Mentor Ramadani deri sa nis e rrëfen për dyshimet e tij. 

Ramadani pretendon se ish- shefi i tij i kishte falsifikuar kontratën e punës madje edhe e kishte legalizuar atë në mënyrë të jashtëligjshme me të dhënat e tij në Admnistratën Tatimore të Kosovës.

“Dyshoj se është problemi që nuk i ka ngrit prokurori veprat ashtu qysh duhet. Sot pas një katër pesë herë që ishim në gjykatë dhe prokurori, fillimisht nuk na kanë pranu dhe nuk na dërguan te prokurori, e takuam kryeprokurorin poshtë dhe biseduam me të dhe pastaj na tha pas një gjysmë ore mundem me ua siguru shkresat e lëndës”, vazhdon të tregoj Mentor Ramadani. 

Ai tutje vazhdon të tregoj se gjatë po të njëjtës ditë kishte shkuar disa herë për të marrë lëndën në prokurori ndërsa arsyetimi në recepsionin e prokurorisë ishte se prokurori i rastit nuk ishte brenda objektit dhe palët duhet të shkonin më vonë që ta merrnin lëndën. 

“Të recepsioni na thanë nuk është prokurori këtu duhet me prit deri pas orës 13:00. Shkuam pas orës 13:00 me vëllain prapë kurrgjë hiç. Ai (prokurori) na kish pas lënë një letër po jo shkresat e lëndës. Pastaj e takuam kryeprokurorin dhe ai na bëri të mundshme me hy edhe me i marrë shkresat e lëndës”, tregon Ramadani. 

Ruzhdi Ramadani vëllai i Mentorit tregoi se disa herë kishte bërë përpjekje për të marrë lëndën ndërsa shpjegon se fillimisht e njëjta lëndë ishte regjistruar në prokurori me NN në të cilën nuk dihet se kush kishte qenë pala e dyshuar. 

“Landa në Ferizaj ka ec thuajse në të njëjtat procedura. Pas njoftimit të gjykatës për me hetu prokuroria dy vepra penale të cilat i ka evidentu gjykata, i kam dhënë një kohë dy vite dhe nuk ka bërë trysni prokurorit mirëpo pas dy vite kur kam shku mu interesu për rastin, ka qenë i regjistruar me NN që do të thotë nuk dihet se kush është kryes i veprës. Unë kam kërku nga prokurori që me më tregu për landën më ka thënë që personi i dyshuar nuk është këtu. Prokurori më ka rekomandu njejtë si prokurori Ramiz Buzhala dhe kur i kam tregu që është rasti i njëjtë sjellja e tij ka qenë shumë e quditshme i tij, ka thënë mënjeherë njëfar reagimi a ky rast është a dhe më ka thënë që vazhdojmë prej të hanës me i marr në pyetje palës së paditur e më ka kërku me i ndihmu me ja gjet një numër të palës së paditur”, tha Ruzhdi Ramadani. 

I kontaktuar në lidhje me këtë rast, ish- shefi i Mentor Ramadanit, Kadrush Rexhepi, pranoi se ishte në dijeni për aktakuzën që është ngritur ndaj tij. 

“Nuk e di as vetë se për çka jam i akuzuar. E kam marrë aktakuzën, ajo thotë se nuk ka pasur kontratë të punës e kontratë të punës ka pasur dhe kanë thënë se jo nuk është nënshkrimi ynë jo ashtu edhe kështu. Kontratën e ka nënshkru kush është përgjegjës te Euro Abi. Kompania nuk është e përfshirë po qaj që e ka nënshkru. Na për këtë jemi në gjykatë për me gjetë kush e ka nënshkru kontratën”, tha Rexhepi në një bisedë telefonike me KALLXO.com deri sa nuk ka pranuar që për këtë rast të flas edhe para kamerës. 

Ai kishte rekomanduar që për rastin KALLXO.com të bisedoj me avokatin e tij Abdylaziz Sadiku. 

“Nuk ka vepra që është i akuzuar, Unë skam lëndë për të. Në kontest civil është për një punëtor që iu ka lëndu një punëtor dhe është për kompenzim të dëmit për atë jemi në gjyq dhe është në përfundim. Penale nuk ka asgjë këtu. Unë nuk e di nuk kam marrë asgjë nga prokuroria për aktakuzë”, tha avokati Sadiku. 

Në anën tjetër Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka pranuar të jap detaje në lidhje me rastin deri sa në pyetjet e dërguara ata kanë pasur vetëm një përgjigje, atë se ndaj Kadrush Rexhepit është ngritur vepra penale falsifikim i dokumenteve. 

“Me vetë faktin që prokurori po heziton me m’i dhanë shkresat e lëndës si palë e dëmtuar këtu ka diçka dhe më jep me dyshu që ka diçka. është fakt se ai po don me i ik një vepre penale që gjykata e ka evidentu, arsyet nuk i di pse. Me prokurorin nuk e kemi diskutu asnjëherë por kemi diskutu me u ngrit dy veprat penale dhe jo njëra. Ai më ka thënë që është puna e tij dhe nuk kemi të drejtë të përzihemi te ai”, vazhdon rrëfimin vëllai i Mentorit.