Foto: Ilustrim

Prokuroria e Tiranës: Ish-anëtari i UÇK-së i arrestuar sot do të ekstradohet në Kosovë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka njoftuar se ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, që sot u arrestua me kërkesë të Gjykatës Speciale, do të ekstradohet në Kosovë.

Arrestimi i Goxhajt ndodhi në Tiranë.

“Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëgues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij.”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë:

“Sot më datë 31.07.2023, në kuadër të “Kërkesës se Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar te Kosovës, për llogari të procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.G.. për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëgues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij.

Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave te Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’). Gjithashtu, Gjykatësi i Vetem autorizoi kontrollimin e z. D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre (‘Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit’).

Gjykatësi i Vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G.. mban përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara te Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 te Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit.

Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës

Goxhaj është arrestuar sot në Tiranë nën dyshimin për veprat – frikësim gjatë procedurës penale dhe pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjykata Speciale përmes një njoftimi ka bërë të ditur se DHSK-ja kërkoi arrestimin dhe dorëzimin e tij në Hagë

Për arrestimin e Goxhajt ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i cili ka thënë se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një “gjykatë politike”.