Me kërkesë të Gjykatës Speciale arrestohet Dritan Goxhaj në Tiranë

Me kërkesë të Gjykatës Speciale është arrestuar në Tiranë, ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.

Arrestimi i tij është bërë sot në Tiranë dhe ky rast ndërlidhet me akuzat e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Gjykata Speciale përmes një njoftimi ka bërë të ditur se DHSK-ja kërkoi arrestimin dhe dorëzimin e tij në Hagë.

“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me  vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Tutje bëhet e ditur se Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.