Prokuroria e Prizrenit po heton grupin e dytë të të dyshuarve për manipulim të votave

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të votave, po vazhdojnë hetimet lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve në Prizren.

Kjo Prokurori ka bërë të ditur se grupi i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Hetimet, sipas Prokurorisë kanë të bëjnë me dyshimet për veprat penale të parashikuara në kapitullin që ka të bëj me të drejtat e votimit, kapitullin për korrupsionin zyrtar dhe për veprat penale kundër detyrës zyrtare- të Kodit Penal.

Prokuroria ka paralajmëruar se gjatë ditës do të ndajë informacione shtesë në lidhje me veprimet dhe zhvillimet hetimore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, vendosi për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna.

Për shkak të manipulimit me vota në Prizren, janë lëshuar 109 vendime për ndalime 48 orëshe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Vendimin për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.

Një problematikë këtu ka qenë se KQZ ka parë vetëm pamjet nga kamerat ku shihet fletëvotimi, por jo edhe monitorin e komisionerit i cili i ka vendosur votat në sistem.

Rrjedhimisht, ndryshimet janë vërejtur pasi që përmes pamjeve të fletëvotimeve KQZ ka numëruar me dorë votat e një vendvotimi dhe pas mbledhjes së tyre, janë krahasuar me të dhënat në sistem për atë vendvotim – e tek pastaj janë vërejtur dallimet.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.

Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues.

Si funksionoi skema e manipulimit dhe falsifikimit të votave në Prizren? – Lajm në zhvillim