Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Programi i Qeverisë së Kosovës 2020-2023

Qeveria e Kosovës e ka finalizuar programin e vet qeverisës për mandatin e vet që përfundon në fund të vitit 2023.

Në këtë program, qeveria e Albin Kurtit ka radhitur pikat programore dhe synimin që i ka vënë vetes për t’i trajtuar ato.

Në hyrje të programit thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë mandatin për t’iu përgjigjur pritshmërive dhe synimeve të qytetarëve të vendit, për ndryshime gjithëpërfshirëse në Republikën e Kosovës.

“Në përputhje me kërkesat dhe nevojat qytetare paraqesim programin, i cili besojmë se është bazë e fuqishme e bashkimit të energjive institucionale dhe vullnetit të qytetarëve të vendit. Njëkohësisht, Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky program bazohet drejtpërdrejt në Marrëveshjen e Koalicionit”, thuhet në program.

Qeveria thotë se programi pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore, iniciativat dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend në të gjitha fushat e përgjegjësisë.

“Në përputhje me marrëveshjen e koalicionit ndërmjet partnerëve qeverisës, qeverisja do të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në ato fusha, ku nuk ka progres të ndjeshëm, si në: i) drejtësi; ii) ekonomi dhe punësim; iii) arsim; iv) shëndetësi; v) siguri vi) integrime euro-atlantike dhe vii) mjedis”, thuhet aty.

Programin e plotë të qeverisë mund ta lexoni më poshtë: