Profesori pretendon se ka mësimdhënës pedofilë në Suharekë, deklarohet kryetari Bali Muharremaj dhe drejtori i Arsimit

Qytetari Astrit Sahitaj, i cili është mësimdhënës në Gjimnazin “Jeta e Re”, po pretendon se në komunën e Suharekës ka mësimdhënës pedofilë.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Sahitaj ka shkruar se mësimdhënësit pedofilë e krijuan edhe një “kabinet seksi” në një shkollë, të  cilës nuk ia ka përmendur emrin.

KALLXO.com ka kontaktuar Sahitajn, i cili kur është kontaktuar ka bërë të ditur se është në hetuesi.

Kurse, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka njoftuar për KALLXO.com se deri më tani nuk ka ndonjë rast të iniciuar zyrtarisht.

“Deri më tani nuk ka ndonjë rast të inicuar zyrtarisht. Sapo të marrim informacione shtesë do të ju informojmë” – ka thënë Bytyqi.

Raportimin e Sahitajt e ka parë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ai ka thënë për KALLXO.com se e ka angazhuar drejtorin e Arsimit në Suharekë për këtë rast.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, kur është kontaktuar ka thënë se momentalisht ndodhet në Gjimnazin e “Jeta e Re”, pasi Sahitaj aty është mësimdhënës i lëndës së historisë dhe ka shkuar të bisedojë me të.

“Pozita mbron dhe privilegjonë mësimdhënësit pedofil! Mësimdhënësit pedofil krijuan edhe kabinet sexi në shkollën X. Këtë e din të gjithë kryetarët e partive të Suharekës. Turp! Të përdoret makina poligrafike (e së vërtetës) Opozita hesht! Turp! Heshtja është krim!” – ka shkruar Sahitaj në Facebook.

Më tej, ai ka thënë po ashtu se është i gatshëm t’i denoncojë mësimdhënësit para institucioneve. Ai ka shtuar se institucionet përgjegjëse në nivel komunal kanë njohuri për rastin por heshtin.

“Jam i gatshëm t’i denoncoj mësimdhënësit pedofil para institucioneve përgjegjëse e deri tek mediat. Edhe institucionet përgjegjese në nivel komunal kanë njohuri. Heshtin! Krim! Turp!” – ka deklaruar Sahitaj.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka thënë se e ka parë raportimin e qytetarit, mirëpo nuk ka informata zyrtare nga drejtori i Arsimit apo i shkollës në lidhje me këtë rast.

“Edhe unë siç e keni parë ju e kam pa, mirëpo informata zyrtare nuk kam as prej drejtorit të shkollës, po nuk kam as prej drejtorit të Arsimit, as zëvendësdrejtorit të shkollës” – është përgjigjur Muharremaj për KALLXO.com.

Sa i përket pretendimit të Sahitajt se mësimdhënësit pedofilë krijuan edhe “kabinet sexi” në shkollë dhe se këtë e dinë të gjithë kryetarët e partive të Suharekës, Muharremaj e ka mohuar.

“Ai tash mundet me thanë çka të don, ai ka të drejtë me folë çka të don, unë kryetar i Komunës jam, nuk jam i informuar për këtë rast, kaq mundem me thanë” – ka theksuar Muharremaj.

Tutje, Muharremaj ka thënë se ka biseduar me drejtorin e Arsimit dhe e ka angazhuar që ta trajtojë rastin.

“Kam bisedu me drejtorin e Arsimit, kam thanë merre edhe këqyre çka është ky rast. Kaq, kurrgjë ma shumë” – ka shtuar Muharremaj.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka shkuar në Gjimnazin ku ka bërë të ditur se punon Sahitaj, për ta takuar.

“Po jemi informu, kam ardhë në Gjimnaz edhe jam në Gjimnaz aktualisht, jam në shkollën ku punon Astriti. Dhe ai nuk është këtu, ka shku dhe është largu. Kam ardhë në shkollë, kam kontaktu drejtorin, drejtori i ka thanë me bisedu, i ka thanë – derisa ta la ditarin në sallë, e ka pritë, kur ka dalë me gjetë, ka shku në shpi dhe nuk është kthyer më” – ka thënë Bajselmani për KALLXO.com.

Bajselmani e ka konsideruar si goditje të rëndë për arsimin në Suharekë pretendimin e Sahitajt dhe se do të kërkojë shpjegim nga ai për të.

“Unë e kam parë këtë edhe ka qenë një goditje e rëndë për arsimin në Suharekë, beso, por ai do ta japë tash shpjegimin pse e ka shkru edhe diçka e tillë nuk mundet m’u paragjyku se jo me ndodhë” – ka theksuar Bajselmani.

Si rezultat, Bajselmani ka bërë të ditur se do të presin deklarimin e Sahitajt dhe do të marrin masa konform argumenteve të tij.

“Absolut, aq puna më, ne kujdesemi vazhdimisht për situatën, gjendjen krejt, ai tash me pretendimet e veta ka m’i deklaru edhe na në bazë të deklarimeve të tij të shofim, do të procedojmë më tutje. Nëse ai ka diçka argumente, edhe ne në bazë të deklarimit të tij, kur, si atëherë do t’i marrim masat, në bazë të ligjeve do të procedojmë për personat e pretenduar nga ai edhe cilat janë masat ligjore ne do t’i zbatojmë gjithsesi” – ka deklaruar Bajselmani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Prokurorinë e Prizrenit për të kuptuar se a është duke u trajtuar rasti nga ana e tyre, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.