Prizren, vritet me thikë një 23-vjeçar

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e therjes me thikë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur sot në Prizren rreth orës 13:30 në rrugën e re të transitit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Viktima është e datëlindjes 1997.

Zëdhënësi i Policisë, Shaban Osmanollaj, për KALLXO.com tha se viktima ishte duke lëvizur me motoçikletë së bashku me një person tjetër.

“Në lëvizje motori i viktimës është goditur nga një veturë e tipit GOLF 3 ngjyrë e bardhë”, tha Osmanollaj.

Ndërsa nga vetura kanë dalë të dyshimtit dhe me thikë e kanë goditur viktimën në pjesën e gjoksit, ka njoftuar Osmanollaj për KALLXO.com.

Sipas tij, viktima ka vdekur në Spitalin e Prizrenit rreth orës 15:30.

Pas këtyre veprimeve  të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, të cilët i ka arrestuar më vonë Policia, dhe me urdhër të Prokurorisë po bastisen shtëpitë e të dyshuarve.

Të arrestuar janë dy persona njëri i lindur më 1994 dhe tjetri 1988 nga lagjja Kurillë e Prizrenit.

Sipas zëdhënësit nuk dihen motivet e vrasjes.