Ilustrim Foto: KALLXO.com

Prizren, Policia arreston dy të dyshuar për armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka zbatuar planin operativ “Goditja 2023” ndaj dy rasteve për armëmbajtje pa leje.

Të dy këto raste kanë ndodhur më 11 gusht, përgjatë kontrolleve të policisë ndaj personave dhe veturave në Prizren.

Sipas njoftimit, në rastin e parë bëhet fjalë për sekuestrimin e një mjeti të ftohtë, thikë, e gjatësisë 8 cm, e cila është gjetur në një lokal nate.

Kjo armë i është sekuestruar të dyshuarit D. R, 26 vjeçar.

Ndërsa, në rastin e dytë në një aheng familjarë janë sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, dhe një karikator.

I dyshuari që i ka poseduar këto është Sh. K, një 21 vjeçar, i cili edhe është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndalur për mbajtje për 48 orë.

Të dy rastet janë trajtuar si vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj dy të dyshuarve do të ngritet kallëzim penal.