Prizren, nuk respektohen masat kundër COVID-19, sheshet përplot qytetarë

Qytetarët e Prizrenit vazhdojnë të mos respektojnë udhëzimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga COVID-19.

Qindra qytetarë janë parë edhe sonte në sheshin Shatërvan duke shëtitur.

Për këso grumbullimi të qytetarëve në të njëjtin shesh KALLXO.com raportoi edhe mbrëmë.

Pak minuta më parë, KALLXO.com raportoi edhe për grumbullimin e qytetarëve në sheshe e në kafiteri edhe në Ferizaj.

Këto janë pamjet që i ka dërguar një qytetar nga Prizreni.

Grumbullimi i qytetarëve në vende publike është i ndaluar sipas udhëzimeve të institucioneve shëndetësore të Kosovës nga frika e përhapjes së coronavirusit të ri.

Po ashtu, lokalet afariste si restorantet apo kafenetë e kanë të ndaluar të pranojnë brenda klientë deri në një vendim të ardhshëm. Ajo për çfarë janë lejuar kafenetë, restorantet e lokalet e ngjashme është që klientëve t’u shërbejnë ushqime e pije, të cilat ata duhet t’i marrin me vete por assesi të ulen në këto lokale.