Foto: Ilustrim

Prizren, dënohet me 1,200 euro gjobë shoferi i autobusit nga Shqipëria që i ofroi 10 euro ryshfet policit të Kosovës

“Në pasaportën time ke një kafe” pretendohet se i kishte thënë i akuzuari Bekim Basha nga Shqipëria zyrtarit policor të Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë.

Në këtë formë Basha akuzohet se i kishte ofruar shumën prej 10 euro si formë ryshfeti zyrtarit policor.

Për këtë vepër – dhënie ryshfeti, Bekim Basha sot është dënuar nga Gjykata e Prizrenit.

I akuzuari Bekim Basha e ka pranuar fajësinë para Gjykatës së Prizrenit për akuzat e Prokurorisë, prandaj Gjykata shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 200 euro. Gjithashtu, ndaj tij u shqiptua edhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Me propozim të mbrojtësit, avokatit Avni Thaqi, dhe me pëlqimin e të akuzuarit, gjyqtarja e rastit Ajser Skenderi të akuzuarit dënimin me burgim ia ka zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,000 euro.

Aktakuza thotë se Bekim Basha më 19 gusht rreth orës 10:30 ka kryer veprën penale duke i ofruar 10 euro në formë ryshfeti zyrtarit policor në pikën kufitare në Vërmicë.

Shuma prej 10 euro nga i akuzuari ishte vendosur në njërën nga 3 pasaportat që i kishte dorëzuar zyrtarit doganor dhe ky i fundit me të vërejtur kartëmonedhën prej 10 euro e raporton rastin.

I akuzuari para Prokurorisë kur është marrë në pyetje ka deklaruar se arsyeja pse i ka vendosur 10 euro në pasaportë ka qenë vetëm për të pasur mirëkuptimin  nga zyrtari policor që të përshpejtojë procedurën e kalimit edhe pse zyrtari policor nuk i kishte kërkuar asgjë.

Pasi që i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar i është konfiskuar edhe kartëmonedha prej 10 euro.