Foto: KALLXO.com

Pritjet e gjata për rezultatet e COVID-19, dhjetra Pejanë po presin rezultatet e testit tash e disa ditë

Pritjet e gjata për të marrë rezultatin e COVID-19 ka filluar të bëhet ‘normale’.

Rritja e numrit të pacientëve të infektuar nga pandemia ka shkaktuar pritje të gjata të personave tjerë të cilët po presin rezultatin e testit të coronavirusit.

E njëjta situatë është edhe në qytetin e Pejës, ku dhjetra persona po presin me ankth rezultatet e tyre.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, në një përgjigje për KALLXO.com tha se tash e disa ditë po presin rreth dhjetë pacientë për të marrë rezultatet.

Pritjet e gjata për të marrë rezultatet po shkaktojnë panik tek pacienti, thotë drejtori.

“Janë disa rezultate të cilat janë duke pritë, numrin sakt nuk mundem me dhënë nuk janë shumë por afërsisht dhjetë pacient janë duke pritur rezultatet. Pritjet po shkaktojnë panik tek pacienti dhe opinioni”, konfirmoi drejtori.

Ndërsa, për sot ai tha se janë bërë disa teste vetëm për pacientët e hospitalizuar dhe për ata të cilat i janë shfaqur simptomat.

“Sot janë kryer testime vetëm pacientëve të hospitalizuar dhe të cilët kanë simptomatologji, ndërsa pa simptome nuk kemi (testime) Institut nuk është duke bërë”, tregoi tutje.

Sipas drejtorit në këtë qytet deri më tani janë 55 raste aktive me COVID-19, 20 prej tyre janë të hospitalizuar.

Disa prej tyre po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës ndërsa disa të tjerë në Klinikën Infektive në Prishitnë.

“55 janë aktiv. Janë përafërsisht 20 pacientë të hospitalizuar në Spitalit Regjional ndërsa ka edhe të hospitalizuar edhe në klinikën infektive në Prishtinë”, konfirmoi Loci.

Nga rezultatet e publikuara pak më parë nga IKShPK, nëntë persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19

Ndërsa në nivel vendi rezultuan pozitiv 114 persona, si dhe 117 të tjerë janë shëruar.

Përvec rasteve pozitive në Pejë ka edhe persona të cilët tashmë e kanë kaluar këtë sëmundje.

Për pesë persona të cilët u shëruan dy ditë më parë, coronavirusi do të mbetet një sfidë e kaluar.

“Para dy dite kemi pas pesë pacientë të shëruar”, tha shkurt drejtori.

Ndërsa, sot një person tjetër i cili po dyshohet me COVID-19 është transferuar nga Klinka Infektive në Pejë për në Klinikën Infektive në kryeqytet, pasi që gjendja e tij kishte filluar të përkeqësohet.

Të njëjtin fat nuk e pati edhe një pacient tjetër, ai u kthye mbrapa pasi nuk pati vend në Infektivë.

Pacienti i diagnostifikuar me coronavirus nuk ka mundur të transferohet në Infektivë në kryeqytet, sipas Infektologut, Zenel Shatri, personi në fjalë e kanë kthyer mbrapa pasi që nuk kishte vend në Infektivë.