Pritje deri në 9 muaj për një rezonancë magnetike në QKUK

Pacientët të cilët kanë nevojë ta bëjnë një rezonancë magnetike të kokës në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës janë të detyruar të presin mbi 9 muaj.

M. K., 57 vjeçare nga Fushë Kosova duhet të presë deri më 4 tetor 2022 që të kryejë një MRI të trurit për shkak se vuan nga skleroza, sëmundje e cila prekë trurin dhe palcën kurrizore.

M. K., e cila nuk ka dashur të flasë para kamerës së KALLXO.com me frikën se mund ta pësojë, ka thënë që një shërbim i tillë në ndonjë klinikë private do t’i kushtojë shumë shtrenjtë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Radiologjisë, Bujar Gjikollin, në lidhje me listën e pritjes për rezonancë magnetike dhe i njëjti është arsyetuar se këto vonesa janë duke u shkaktuar për shkak të numrit të vogël të aparaturave për rezonancë magnetike.

Tutje Gjikolli ka shtuar se aparaturat e rezonancës magnetike mungojnë në Spitalet Regjionale.

“Ku ka kërkesa të shtuara e mundësi të kufizuara atëherë edhe formohet lista e pritjes. Do të vazhdojmë të kërkojmë dhe gjejmë format e punës e bashkë me investime në të ardhmen të zvogëlohet kjo listë. Si menaxhment kemi parashtruar nevojat e klinikës sonë dhe shpresojmë që ato të realizohen. Në ndërkohë, me ardhjen e aparatit të ri të rezonancës magnetike në spitalin e ri për fëmijë, do të kontribuohet në arritjen e këtyre qëllimeve”, ka thënë Gjikolli për KALLXO.com.

Sipas Gjikollit, lista e pritjes për pacientët e hospitalizuar është zero, ndërsa për pacientët emergjent radiografitë ultratingulli, tomografia e kompjuterizuar dhe angiografia me tomografi të kompjuterizuar kryhen bazuar në udhëzimet e specialistëve të mjekësisë emergjente.

“Ne në një periudhë kemi arritur që ta bimë në disa ditë listën e pritjes për pacientët që nuk janë të hospitalizuar, nëse nuk gaboj tash lista është rreth korrikut, është 6-7 muaj d.m.th”,  kishte deklaruar Gjikolli në një intervistë për KALLXO.com në muajin dhjetor.

Sipas Gjikollit, mungesa e aparaturës në këtë klinikë është duke e vështirësuar ofrimin e shërbimeve më shpejtë për pacientët ambulantor pasi që kjo klinikë ka vetëm dy aparatura.

Shërbimi i rezonancës magnetike bëhet vetëm në Klinikën e Radiologjisë në QKUK por jo edhe në spitalet regjionale në Kosovë.

KALLXO.com rreth mungesës së aparaturave të rezonancës magnetike në Spitalet Regjionale ka kërkuar informacione edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.